Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, aktualisht në paraburgim, u ka drejtuar një letër zyrtare përfaqësuesve të ambasadave të huaja dhe organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, përmes firmave ligjore Kasowitz dhe Mishcon de Reya.
Në këtë letër, Veliaj u bën thirrje ndërkombëtarëve të monitorojnë nga afër seancën e 8 majit 2026 në Gjykata Administrative e Tiranës, duke kërkuar gjithashtu që procedura të transmetohet drejtpërdrejt, në funksion të transparencës.
Seanca pritet të shqyrtojë ligjshmërinë e emërimit të prokurorit Ols Dado, i cili drejton çështjen penale ndaj Veliajt. Në letrën e tij, ai pretendon se prokurori nuk ka përmbushur kriteret e detyrueshme ligjore, si përfundimi i Shkollës së Magjistraturës apo marrja e një përjashtimi të ligjshëm, duke vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e veprimeve të tij.
Veliaj paralajmëron se çështja mund të rrëzohet për arsye procedurale pa u shqyrtuar në themel, duke theksuar se një zhvillim i tillë do të ngrinte shqetësime serioze për sundimin e ligjit dhe procesin e rregullt ligjor.
“Kontestimi im ligjor nuk ka të bëjë vetëm me mua apo z. Dado. Është një përpjekje për të siguruar që republika jonë të ndjekë ligjin që rregullon emërimin e prokurorëve, dhe për të korrigjuar çdo gabim në procesin e vetting-ut që rezulton në emërimin e kandidatëve të pakualifikuar,” shkruan Veliaj në letër.
Ai rendit gjithashtu pasojat që, sipas tij, vijnë nga një emërim i paligjshëm, duke përmendur paraburgimin e zgjatur, kufizimin e aksesit te avokati dhe provat, si dhe masa hetimore që prekin familjen dhe jetën e tij private.
Nga ana tjetër, Dan Fetterman, partner në Kasowitz, e cilëson çështjen si thelbësore për shtetin e së drejtës.
“Kjo është një çështje themelore e sundimit të ligjit. Nëse një prokuror nuk ka kualifikimet ligjore për të mbajtur detyrën, çdo veprim i ndërmarrë nën atë autoritet është në thelb i dyshimtë. Transparenca në këtë procedurë është thelbësore jo vetëm për të drejtat e Kryetarit Veliaj, por edhe për besimin e publikut në institucionet gjyqësore të Shqipërisë,” u shpreh ai./Versus.al

