AKTUALITET /

VENDIMI/ Gjykata Kushtetuese vendos kufij të qartë për sekuestrimin e celularëve në hetimet penale

Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim me rëndësi në raportin mes hetimit penal dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, duke vendosur kufij të qartë për sekuestrimin dhe përpunimin e të dhënave nga telefonat celularë në procedimet e drejtuara nga SPAK.

Shkruar nga Versus

VENDIMI/ Gjykata Kushtetuese vendos kufij të qartë për

Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim me rëndësi në raportin mes hetimit penal dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, duke vendosur kufij të qartë për sekuestrimin dhe përpunimin e të dhënave nga telefonat celularë në procedimet e drejtuara nga SPAK.

Në vendimin nr. 44, datë 29 korrik 2025, Gjykata pranoi pjesërisht ankimin e Onejda Ymerajt, duke konstatuar shkelje të fshehtësisë së korrespondencës dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale për ato informacione që nuk lidhen me objektin e hetimit penal.

Thelbi i konfliktit:

Çështja lidhet me sekuestrimin e celularit të kërkueses nga policia gjyqësore në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK argumentoi se veprimi ishte i domosdoshëm dhe urgjent për të shmangur humbjen e provave. Kërkuesja, nga ana tjetër, tha se nuk ishte person nën hetim dhe se sekuestrimi ishte bërë pa vendim gjykate, duke i dhënë akses të pakufizuar të dhënave personale dhe komunikimeve private.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata theksoi se telefoni celular është sot një “arkiv” i jetës personale dhe profesionale, dhe se sekuestrimi i tij përbën ndërhyrje serioze në privatësi. Vendimi thekson se ndërhyrja duhet të jetë ligjore, e domosdoshme dhe proporcionale.

Gjykata urdhëroi asgjësimin e kopjeve të të dhënave që nuk lidhen me hetimin, duke lejuar mbajtjen në sekuestro vetëm të atyre që janë të lidhura drejtpërdrejt me hetimin, me kontroll gjyqësor dhe garanci procedurale.

Mesazh për hetimet penale:
Vendimi vendos një standard të ri praktikës hetimore: ekspertimi i celularëve nuk mund të shndërrohet në një “peshkim të gjerë” të jetës private. Organet e ndjekjes penale duhet të dallojnë qartë mes provës së nevojshme dhe ndërhyrjes së tepruar në të drejtat themelore.

Vendimi është përfundimtar, hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe ngarkon SPAK-un që brenda tre muajve të zbatojë masat e urdhëruara duke respektuar garancitë kushtetuese./Versus.al

Dokumenta bashkëngjitur

Poll