Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca e radhës në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Të akuzuarit janë sjellë në gjykatë me pranga në duar, ndërsa para trupit gjykues ka dëshmuar i dyshuari kryesor i çështjes, Naim Murseli.
Gjatë seancës, kryetarja e trupit gjykues, Fatmire Dermaku, ka prezantuar prova të reja nga ngjarja tragjike, përfshirë fotografi që dokumentojnë momentin e qëllimit me armë ndaj viktimës brenda automjetit, si dhe imazhe të stolive të arit që ajo mbante natën e ngjarjes.
Sipas raportimeve, gjatë shfaqjes së provave, Naim Murseli ka deklaruar se nuk mund t’i shohë ato.
Në seancat e mëparshme, Murseli kishte kërkuar të komunikonte me djalin e tij dhe me Behgjet Pacollin, kërkesë kjo që është refuzuar nga gjykata, duke u cilësuar si e palejuar nga ligji për kategorinë e personave të përfshirë.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës./Versus.al

