
Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie përreth godinës së Kuvendit të Shqipërisë për shkak të protestës së paralajmëruar nga Partia Demokratike, e cila pritet të zhvillohet sot paradite.
Rreth 1,500 efektivë policie janë angazhuar në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë tubimit, që do të nisë në orën 10:00 dhe do të zhvillohet paralelisht me seancën plenare të Kuvendit. Në këtë seancë pritet të shqyrtohet dhe të votohet kërkesa e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku.
Si pjesë e planit të sigurisë, zona përreth Parlamentit është rrethuar me barriera metalike dhe prania e forcave të policisë është shtuar ndjeshëm. Ndërkohë, në oborrin e Akademia e Shkencave e Shqipërisë, pranë godinës së Kuvendit, janë vendosur edhe një automjet zjarrfikës dhe një autobot me ujë, si masë parandaluese në rast incidentesh.
Sipas burimeve mediatike, ndryshe nga protestat e mëparshme që janë shoqëruar me tensione dhe përplasje, këtë herë pritet që tubimi të zhvillohet në mënyrë paqësore. Kjo vjen edhe pas mesazheve të dhëna nga faktorë ndërkombëtarë për respektimin e rregullave dhe shmangien e incidenteve gjatë protestëS./Versus.al
View this post on Instagram

