
Fermerët kosovarë janë ngritur në protestë kundër qeverisë për mosmarrjen e masave ndaj sektorit që sot gjendet në vështirësi.
Protesta u zhvillua para Ministrisë së Bujqësisë në Prishtinë nga fermerët e sektorit të qumështit, të cilët kanë shprehur revoltën e tyre duke hedhur qumështin para dyerve të ministrisë.
Me pankarta në duar ku shkruhej, "Mos na lini pa bukë", "Mos prekni vendet e punës" dhe "Mos e dobësoni industrinë vendore", fermerët kërkuan ndërhyrje urgjente nga institucionet për zgjidhjen e situatës së krijuar.
Shkak i kësaj proteste është ndalimi i përkohshëm i grumbullimit të qumështit prej katër ditësh, një situatë kjo që ka çuar në mbylljen e përkohshme të qumështores "Vita".
Fermerët paralajmëruan se ky bllokim kërcënon seriozisht vazhdimësinë e punës së tyre dhe vetë industrinë vendore të qumështit, ndaj kërkuan marrjen e masave të menjëhershme për zhbllokimin e grumbullimit dhe mbështetjen e prodhuesve vendas.
“Tash e një vit trokasim nëpër dyert e shtetit duke njoftuar ministritë përkatëse lidhur me gjendjen e krijuar në këtë sektor dhe duke kërkuar të merren masa që garantojnë investime dhe siguri të produkteve tona që të kemi konkurrencë të barabartë dhe jo importe me çmime të subvencionuara nga Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe e gjithë regjioni. Të gjithë ju jeni dëshmitarë të këtyre produkteve dhe na akuzoni neve pse ato produkte shiten nëpër raftet tona me çmime shumë të lira”, ka thënë përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështarëve./Versus.al
View this post on Instagram

