
Policia e Vlorës ka sekuestruar 179 copë lëndë piroteknike (fishekzjarre) të ndaluara për tregtim, gjatë një kontrolli të ushtruar në një subjekt tregtar në lagjen “Pavarësia”.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, kontrollet u kryen në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit. Gjatë kontrollit në një subjekt me aktivitet ushqimor, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, konstatuan sasinë e fishekzjarreve që mbaheshin për tregtim në kundërshtim me ligjin.
Lëndët piroteknike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë. Për këtë rast nisi procedimi penal ndaj shtetases me inicialet D. K., 31 vjeçe, banuese në Vlorë, pronare e subjektit tregtar.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Vlorë, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë së qytetarëve gjatë festave të fundvitit.

