
Me pankarta e flamuj kuq e zi, të rinj e qytetarë iu bashkuan sot protestës në Tiranë, organizuar në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup. Ata marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut.
Shqiptaria është me Shkupin”, “Gjuha shqipe, gjuha jonë” dhe “O sa mirë me qen shqiptar!” , janë dëgjuar të brohorisin studentët gjatë marshimit të tyre drejt Rrugës së Kavajës, aty ku ndodhet edhe ambasada.
Ashtu si në Shkup, edhe në Tiranë është i pranishëm një prej organizatorëve të protestës, Mevlan Ademi, i cili ka deklaruar se ata nuk do të heshtin në mbrojtje të gjuhës shqipe.
Ai u shpreh se gjuha është amanet dhe se sot problemi po kthehet në çështje kombëtare, ndërsa nënvizoi se nuk po kërkojnë privilegje, por barazi dhe respekt.
“Dëshmuan që kur bëhet fjalë për identitetin dhe gjuhën tonë dimë të bëhemi bashkë. Nuk jemi kundër askujt por jemi vetëm për të drejtën dhe gjuhën tonë që është larë me gjak”, tha ai.
Protesta e radhës e studentë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut do të mbahet në Prishtinë, për tiu rikthyer organizimeve në Shkup.

