AKTUALITET /

VIDEO/ Skandal në vendngjarjen e vrasjes së Eduart Reçi: Momenti kur dyshohet se polici fsheh predhën në xhep

Oficeri me fizik të shëndoshë dhe me një kapuç në kokë, i identifikuar më pas me inicialet si Z.B, ka marrë në trotuar një send të vogël, që dyshohet të jetë predha e armës, me të cilën mbeti i vrarë biznesmeni Reçi.

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Skandal në vendngjarjen e vrasjes së Eduart Reçi:

Dy pamje filmike të administruara në dosjen hetimore Nr.7559 që lidhet me vrasjen e biznesmenit të ndërtimit në Tiranë në 13 nëntor 2024, tregojnë siluetën e një punonjësi policie që kryen veprime të dyshimta në vendngjarje, ku u ekzekutua Eduart Reçi.

Oficeri me fizik të shëndoshë dhe me një kapuç në kokë, i identifikuar më pas me inicialet si Z.B, ka marrë në trotuar një send të vogël, që dyshohet të jetë predha e armës, me të cilën mbeti i vrarë biznesmeni Reçi.

 
 
Siç duket dhe në pamjet filmike këtë send të vogël, oficeri i krimeve që mban në kokë një kapuç, dukshëm e lëviz fillimisht me këmbë dhe pasi e pastron me dorë, më pas e fut këtë send në xhepin e xhupit.

Më tej pas këtyre veprimeve, sipas pamjeve filmike i njëjti oficer që fut sendin e vogël në xhep, bën sikur kërkon në trotuar së bashku me kolegët e tij, predhën e fishekut.

Në pamjet filmike të siguruara ekskluzivisht nga gazetari Elton Qyno, tregohet qartë se gati 40 minuta nga vrasja e Eduard Reçit, një grup oficerësh të Drejtorisë së Policisë Tiranë, fillojnë të këqyrin përmes ndriçimit me telefon vendin ku dyshohet se ka mbetur predha që i mori jetën biznesmenit Reçi.

Këqyrja e terrenit nga policia, bëhet pikërisht në trotuarin ngjitur me shkallët e biznesit “Botime Pegi”, aty ku vetë policia kishte bindjen e plotë se ishte këndi i qitjes, ku ishte përplasur predha që i mori jetën, Eduard Reçit.

Të paktën 8 oficerë policie, kontrollojnë terrenin e trotuarit për disa minuta me radhë, duke përdorur elektrik dore dhe ndriçim të aparateve të telefonit. Në pamje filmike shihet një vendngjarje krimi totalisht e parrethuar që kanë hyrë shumë persona të cilët kontrollojnë në drejtime të ndryshme.

Por i vetmi punonjës policie që arrin të gjejë një send të vogël dhe ulet në trotuar duke e marrë atë dhe më pas e rrotullon me gishta, është pikërisht oficeri i policisë që mban të veshur një xhup me kapuç në kokë.

Për gjetjen e këtij sendi në vendin e krimit, nuk është mbajtur asnjë proces-verbal gjatë këqyrjes së terrenit.

Madje vetë polici, nuk i ka vënë në dijeni kolegët e tij për sendin e gjetur në trotuar, por e ka futur atë në xhepin e djathtë të xhupit të tij dhe më pas ka vijuar kontrollin rutinë, derisa është larguar nga vendi i ngjarjes.

Vendi ku u godit viktima dhe vendi ku dyshohet se u gjend predha, janë në distancë 4 deri në 5 metra larg nga njëra-tjetra.

Ndërkohë pas disa minuta oficerët rimblidhen dhe kontrollojnë pikërisht përpara shkallëve të biznesit Botime “Pegi”, por nuk arrijnë të gjejnë asgjë.

Sipas dosjes hetimore të hartuar nga policia e Tiranës, në pamundësi për të gjetur predhën në orët e vona të natës së 13 Dhjetorit 2024 është ndërprerë kontrolli dhe një këqyrje e dytë është bërë në datën 14 nëntor 2024.

Nga këqyrja e dytë e terrenit, nuk është kryer kontroll tek trotuari përballë “Pegit”, por në një teren tjetër shumë larg vendit, ku policia pretendonte mesnatën e vrasjes në 13 Dhjetor 2023.

Në këtë këqyrje të dytë që zgjati më pak se 10 minuta, kryer në një pozicion tjetër, policia ka mbajtur një proces-verbal duke pretenduar se ka gjetur një send metalik me hollësinë e një gozhde, që besohet se ka depërtuar kokën e biznesmenit Eduard Reçi, duke sjellë vdekjen e tij.

Kjo shufër hekuri me madhësinë sa një kokrre orizi është ekspertuar në laborator për të parë nëse ka inde biologjike ADN-je, por përgjigja ka dalë negative pasi predha nuk ka pasur shenja gjaku por as inde kockore.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia dhe prokuroria e Tiranës urdhëruan arrestimin e dy vëllezërve Florjan Dukaj dhe Shkëlqim Dukaj, ky i fundit oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit Nr.2 në Tiranë.

Të dy vëllezërit në asnjë moment, si gjatë fazës së hetimit dhe fazës së gjykimit ku ndodhet çështja, nuk kanë pranuar autorësinë e vrasjes së komshiut të tyre, biznesmenit Eduard Reçi.

Madje dy vëllezërit e ndaluar, i janë drejtuar me 8 kallëzime penale Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe prokurorisë së Tiranës, duke pretenduar se një grup oficerësh të policisë së kryeqytetit kanë kryer gjetjen dhe asgjësimin e provave në vendin e ngjarjes.

 

 

Poll