
Versus ka siguruar videon e fillimit të zjarrit që përpiu fasadën e pallatit 12-katësh te kompleksi "Arlis" në zonën e njohur si "Farmacia 10".
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga zjarri i fuqishëm që përfshiu një pallat 12-katësh në kompleksin “Arlis” në Tirana, pranë zonës së njohur si “Farmacia 10”. Një video e siguruar nga mediat tregon momentin kur flakët shpërthejnë fillimisht në katin përdhe, duke përfshirë mbeturinat e një marketi.
Pamjet tregojnë se zjarri nis nga disa kartonë dhe mbetje të grumbulluara pranë hyrjes së godinës, duke u përhapur me shpejtësi drejt fasadës. Brenda pak minutash, flakët kanë përpirë një pjesë të konsiderueshme të ndërtesës, duke shkrumbuar rreth 30 apartamente dhe duke dëmtuar rëndë strukturën e jashtme përgjatë gjithë gjatësisë së saj.
Ngjarja ndodhi pasditen e 14 prillit dhe shkaktoi panik te banorët, ndërsa ekipet zjarrfikëse ndërhynë për orë të tëra për të vënë nën kontroll flakët. Si pasojë e zjarrit dhe tymit të dendur, 11 persona—mes tyre banorë dhe efektivë zjarrfikës mbetën të lënduar, kryesisht nga asfiksia.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta. Në momentin e shpërthimit të flakëve nuk duket asnjë person pranë vendit ku nisën ato. Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë mundësinë që fëmijë që luanin më herët në zonë të kenë shkaktuar zjarrin pa dashje, apo edhe hedhjen e një cigareje të pafikur nga katet e sipërme.
Nga ana tjetër, kompania ndërtuese “Arlis” ka reaguar publikisht, duke deklaruar se objekti është ndërtuar në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë dhe është certifikuar nga institucionet përkatëse që në vitin 2021. Sa i përket fasadës, kompania ka theksuar se përgjegjësia i takon firmës kontraktore që ka realizuar punimet dhe që, sipas saj, kishte garantuar cilësinë e materialeve.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa dëmet materiale dhe pasojat për banorët mbeten të konsiderueshme.

