
Trafiku i drogës, krimi i organizuar, migracioni i parregullt kanë qenë tema të cilat janë diskutuar gjatë takimit të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit në ambientet e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) me Brendan Hanrahan, zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, zhvilluar dy ditë më parë (3 shtator).
Detajet nga takimi janë zbuluar nga një zyrtar i DASH për gazetarin Muhamet Veliu i cili ka deklaruar:
Shtetet e Bashkuara po punojnë me Shqipërinë për qëllimet tona të përbashkëta të ndalimit të trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe migracionit të parregullt. Zyrtarë të lartë të Departamentit u takuan me Kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Dumani, për të diskutuar fusha të bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë
Vizita e Dumanit në Uashington erdhi në një moment kyç për SPAK-un dhe institucionet e reja të drejtësisë në Shqipëri.
Pas disa javësh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të hapë garën për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa shumë shpejt do të zgjidhet edhe kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Vitin e kaluar, Dumani u nderua me çmimin “Kampion në Luftën Kundër Korrupsionit”, një vlerësim që i dha ish-Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken./Versus.al







