AKTUALITET /

Vranë babain dhe e varrosën në kasolle, 3 fëmijët e familjes Meta i nënshtrohen vizitës psikiatrike

Shkruar nga Versus
Vranë babain dhe e varrosën në kasolle, 3 fëmijët e
Viktima (Pëllumb Meta), tre fëmijët në gjykatë dhe vendi ku ishte varrosur trupi i pajetë

Dy vëllezërit dhe motra të cilët bashkëpunuan për vrasjen e babait të tyre, Pëllumb Meta në Durrës, i janë nënshtruar një vizite psiqike nga komisioni i posaçëm në Tiranë në mënyrë që dosja e hetimeve të jetë sa më e plotë.

Hysen, Amarildo dhe Hygerta Meta nuk kanë lëvizur më nga deklarimet e tyre të mëparshme lidhur me vrasjen e babait të tyre, duke i qëndruar versionit të fundit se personi që qëlloi me armë ndaj Pëllumb Metës ishte Hygerta Meta.

Kjo e fundit i është nënshtruar edhe një vizite gjinekologjike ku u vërtetua se ishte e virgjër duke hedhur poshtë dyshimet për një incest që mund të ketë detyruar atë të kryente aktin e rëndë ndaj të atit.

Mësohet se sjellja e fëmijëve gjatë qëndrimit në qelitë e paraburgimit deri në daljen para gjykatës, ka qenë fare normale pavarësisht ngjarjes së rëndë për të cilën akuzohen.

Më parë ata u dërguan të bënin qitje në poligon për të parë nëse dinin të qëllonin pasi kishte dyshime se Hygerta mund të mos ishte autorja e krimit pasi në një moment, autorësinë e mori përsipër vëllai i saj i madh Hysen Meta për të mbuluar të motrën. Pas qitjeve, u provua se Hygerta Meta ishte e aftë të përdorte armën.

Si ndodhi ngjarja?

Pëllumb Meta, 49 vjeç u vra më 10 shkurt të këtij viti në banesën e tij në Shënavlasht ë Durrësit. Më pas trupi I pajetë u varros në një kasolle pranë banesës. Ngjarja tronditëse u zbulua nga policia më 23 shkurt, pasi djali i madh Hysen Meta denoncoi zhdukjen e të atit. Që pas arrestimit deri më sot, 3 fëmijët kanë dhënë deklarata kontradiktore prandaj po kryhen hetimet intensive për të zbardhur plotësisht ngjarjen. Si shkak për ngjarjen, dyshohet të jetë dhuna e vazhdueshme në familje dhe fejesa me shkuesi e Hygertës. Versus.al

Poll