
Ditën e djeshme, gjykata e Tiranës dënoi me 16 vite burg Martio Përlleshajn, autorin e vrasjes së 14 vjeçarit Martin Cani në tetor të vitit të kaluar. Për këtë foli sot edhe babai i viktimës, Ëngjëll Cani i cili fajësoi shkollën për ngjarjen e rëndë duke thënë se nuk i kishin dërguar asnjë mesazh për sherrin mes të miturve.
“Shkolla është shkaktari i parë i kësaj ngjarje. Unë shkollën e kisha 5 minuta larg nga puna ku punoja. Një mesazh mund të shpëtonte jetë. Unë mund të shkoja ta merrja djalin. Një mesazh i tyre mund të kishte shpëtuar një jetë”, tha Ëngjëll Cani për “Shqipëria Live”.
Ndërsa avokati i familjes Cani, Redi Ramaj, që ka ndjekur hap pas hapi çështjen, ka deklaruar se do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën e Apelit, por jo vetëm.
“Pavarësisht dënimit përfundimtar me 16 vite, nuk kishin rëndësi për ne vitet, e rëndësishme është të bëhet drejtësi dhe të jepet mesazhi i qartë që drejtësia funksionon. Njerëzit janë më të pambrojturit. Rastet më të fundit tregojnë se i kemi lënë fëmijët në mëshirë të fatit. Jemi në kushtet ku kemi gjetur një formë drejtësie.
Ministria e Arsimit duhet të kishte deklaratë të vazhdueshme rreth kësaj ngjarjeje, por nuk ka ndodhur. Duhet të ishin marrë masa rreth futjes së sendeve të paligjshme nëpër shkolla. Ju e thatë kemi pasur pengesa të mëdha. Shkolla nuk e ka raportuar ngjarjen për të mbrojtur emrin e shkollës, është për të vënë duart në kokë. Ata nuk kërkuan as ndjesë, nuk mbajnë përgjegjësitë e veta, e shmangën këtë ngjarje e bënë sikur s’ka ndodhur gjë. Kjo sjell ngjarje të tjera që tashmë janë të përsëritura. Ne kemi dështuar si shoqëri me këtë rast. Do të kemi tjetër përballje në Gjykatën e Apelit. Do të ndjekim rrugën civile të dëmshpërblimit, dhe dëmshpërblimit të të gjitha institucioneve që janë përgjegjëse për vrasjen e Martin Canit”, tha avokati. Versus.al

