
Një i dënuar shqiptar në Britani ka publikuar sërish një video në TikTok nga qelia e tij në burgun e Manchesterit, ku shfaqet duke kërkuar të transferohet në një burg në Shqipëri për të qenë më pranë familjes dhe për t’i shpëtuar ushqimit që e quan “të tmerrshëm”.
Bëhet fjalë për Eugert Merizaj, 32 vjeç, i cili në maj të vitit 2022 u dënua me 32 vite burg për përfshirjen në vrasjen me armë zjarri të rivalit në tregtinë e drogës, Hemawand Ali Hussein. Përdorimi i telefonit në burg është i ndaluar me ligj, por rojet e HMP Manchester nuk kanë arritur ta ndalin Merizajn, i cili madje ka bërë edhe transmetime live duke luajtur lojëra online për shpërblime që mund të shndërrohen në para.
Në një video të publikuar këtë muaj, ai shprehet se autoritetet britanike po e pengojnë të transferohet në Shqipëri, ndonëse ka bërë të gjitha aplikimet. “Më duket sikur ne që kemi dënime të gjata nuk po lëvizim fare,” thotë ai.
Marrëveshja për transferimin e të dënuarve mes Shqipërisë dhe Britanisë hyri në fuqi në maj 2023, por procesi po ecën me vonesa. Deri tani, sipas autoriteteve shqiptare, vetëm 10 të dënuar janë rikthyer në vendlindje për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Merizaj, i cili nuk ka takuar familjen prej shtatë vitesh, thotë se arsyeja kryesore pse kërkon kthimin është pikërisht kjo. “Ndoshta në burg në Shqipëri nuk do të kem telefon, por e di që mund të siguroj një. Ushqimi këtu është i tmerrshëm, nuk flet dot shqip, vetëm anglisht. Mund të jetë më keq atje, nuk e di… por dua të shoh familjen time, kjo është më e rëndësishmja,” është shprehur ai.
Në videot e tjera të shpërndara, Merizaj shihet duke fituar shpërblime në lojëra online, duke marrë pjesë në transmetime live me përdorues të tjerë dhe duke shfaqur kushte relativisht komode në qeli – me televizor, altoparlant, libra në shqip e madje edhe këpucë të markës Dolce & Gabbana.
Qeveria britanike ka shpallur si prioritet uljen e numrit të të huajve në burgje, duke theksuar se një vend në qeli kushton 40 mijë paund në vit për taksapaguesit. Ndërkohë, sipas skemës së lirimit të parakohshëm, të dënuarit e huaj mund të deportohen pasi të kenë kryer 50% të dënimit në Britani – përqindje që nga shtatori pritet të ulet në 30%.
Statistikat tregojnë se shqiptarët janë grupi më i madh i të huajve në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, me mbi 1,000 të dënuar të regjistruar vitin e kaluar.
Merizaj u arrestua në Belgjikë pas vrasjes së vitit 2019 dhe u ekstradua në Britani. Edhe pse nuk ishte ai që shtiu, gjykata konstatoi se kishte luajtur rol kyç në planifikimin e krimit dhe në sigurimin e armëve.
Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë britanike tha se “shumica e kthimeve ndodhin përmes skemës së lirimit të parakohshëm, ndërsa marrëveshja e transferimit është vetëm një nga mënyrat. Që nga marrja e detyrës, qeveria ka deportuar 4,532 të dënuar të huaj, një rritje prej 14% krahasuar me një vit më parë.”