
I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë që tronditi Podgoricën, Vehad Muriç (25), është arrestuar mbrëmjen e sotme nga autoritetet policore, njoftoi zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Malit të Zi.
Murić, nga Rozhaja, kërkohej si i dyshuar për vrasjen e tre personave: vëllezërve Denis Hoti(28) dhe Nezrin Hoti (27), si dhe Kenan Miraljemović (56), shtetas i Republikës së Serbisë nga Novi Pazari. Krimi dyshohet të jetë kryer me armë të ftohtë në lagjen Stari Aerodrom të Podgoricës.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni për arrestimin e tij u zhvillua pas një aksioni të gjerë të njësive të Qendrës Rajonale të Sigurisë “Veri”. Pas veprimeve intensive operative dhe taktike, policia arriti ta lokalizojë dhe ta arrestojë të dyshuarin në një zonë të hapur në qendër të qytetit të Rozhajës.
Autoritetet konfirmuan se Murić u arrestua në kuadër të hetimeve për veprën penale të “vrasjes së rëndë” dhe se menjëherë është njoftuar Prokuroria e Lartë Shtetërore në Podgoricë.
I dyshuari pritet të dërgohet me kallëzim penal në prokurori për procedura të mëtejshme ligjore, ndërsa policia deklaron se tashmë është mbledhur një sasi e konsiderueshme provash që, sipas tyre, e lidhin drejtpërdrejt atë me krimin.
“Pas përfundimit të veprimeve hetimore dhe provuese, publiku do të informohet në mënyrë transparente për të gjitha rrethanat e ngjarjes,” thuhet në deklaratën e policisë, e cila shton se provat aktuale tregojnë qartë autorësinë e të dyshuarit në këtë vrasje të trefishtë që ka tronditur opinionin publik në Mal të Zi.

