AKTUALITET /

Vrau efektivin e ‘Shqiponjave’ në Fier, Gjykata dënon me burg përjetë Azgan Mërnicën

Azgan Mërnica ekzekutoi me një plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, në një ngjarje që dyshohet se ndodhi pas një konflikti të çastit mes dy të rinjve, më 13 maj të vitit të kaluar, në fshatin Baltëz të Fierit.

Shkruar nga Versus
Vrau efektivin e ‘Shqiponjave’ në Fier, Gjykata dënon me
Novruz Cenalia/ Azgan Mërnica

Gjykata e Fierit ka pranuar pretencën e Prokurorisë dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm Azgan Mërnicën.

Ai u shpall fajtor për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Azgan Mërnica ekzekutoi me një plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalia, në një ngjarje që dyshohet se ndodhi pas një konflikti të çastit mes dy të rinjve, më 13 maj të vitit të kaluar, në fshatin Baltëz të Fierit.

Sipas prokurorisë, shkak i sherrit ishte hyrja e Azgan Mërnicës me automjet me shpejtësi të lartë në një kthesë, pa kontrolluar rrugën, duke rrezikuar jetën e banorëve të zonës.

“Nga hetimi dhe gjykimi , u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri Azgan Mërnica ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit Novruz Cenalia, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.

Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka mbushur atë dhe më tej situata ka përshkallëzuar ku i pandehuri Azgan Mërnica duke përdorur armën e zjarrit të llojit pistoletë ka shtënë drejt fytyrës së viktimës Nevruz Cenalia duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.” – njofton Prokuroria.

Sherri dyshohet të ketë nisur për shkak të kalimit në një rrugë të ngushtë në fshatin Baltëz, ku jetonte viktima, ndërsa autori, banues në fshatin fqinj Sulaj, kalonte shpesh aty.

Azgan Mërnica qëlloi me plumb në kokë efektivin, i cili ishte me uniformë dhe po shkonte për të marrë shërbimin.

Ai ndodhej në një automjet “Audi” së bashku me nënën e tij, Ajete Mërnica, dhe pas krimit u arratis, duke lënë makinën tek shtëpia e dajës së tij, rreth 4 kilometra larg vendit të ngjarjes.

Për dy ditë rresht, Azgan Mërnica ishte në kërkim nga policia, e cila ofroi edhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh për çdo informacion që ndihmonte në kapjen e tij. Ai u vetëdorëzua pas negociatave me autoritetet, teksa fshihej në fshatin Dërmenas./Versus.al

 

Poll