Një sherr i nisur në rrjetet sociale mes të miturve, përfundoi në një tragjedi ditën e djeshme në Tiranë ku 14 vjeçari M.C u godit me thikë në gjoks nga bashkëmoshatari i tij M.P, të dy nxënës të shkollës “Fan Noli”.
Dje u shoqëruan në polici disa persona, ndërsa sot bëhet me dije se për ngjarjen është arrestuar i mituri 14 vjeçar ndaj të cilit rëndojnë akuzat për veprat penale “vrasje me dashje e të miturit” dhe “mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Ashtu siç po ndodh rëndomtë së fundmi mes të miturve edhe kjo ngjarje e ka zanafillën në rrjetet sociale. Sherri i nisur mes dy të rinjve një javë më parë për një vajzë, është zhvendosur edhe pranë ambienteve të shkollës ku nuk u gjend asnjë officer sigurie siç e parashikon ligji të jetë.
I plagosur si pasojë e sherrit mbeti edhe një tjetër 14 vjeçar i cili ishte njoftuar nga viktima se do të kishte një zënkë pas mësimit.
Ngjarja ngriti alarmin tek institucionet më të larta për pasigurinë në atë që konsiderohet të jetë “tempulli i dijes”. Në Kuvend ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu iu kërkua dorëheqja. Ndërsa më herët reagoi presidenti Bajram Begaj i cili tha se shoqëria shqiptare ka një sfidë të madhe në frenimin e promovimit të dhunës që rëndomtë shfaqet kudo në rrjetet sociale si dhe jetën publike. Versus.al








