
Tre janë pistat ku është fokusuar më tepër hetimi i policisë në lidhje me vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla mbrëmjen e djeshme në qytet.
Gazetarja Anila Hoxha tha në emisionin “Top Story” se një prej pistave është ajo e konflikteve personale, një pistë tjetër është ajo e përfshirjes në shpërndarjen e drogës si dhe pista tjetër që lidhet me dyshimet se Mëhalla jepte fajde.
“Makina është gjetur e djegur me një armë brenda të llojit “Beretta”. Makina dyshohet se ishte shitur pak më parë. Dhe policia ka kontrolluar të gjithë përdoruesit e mjetit, njëri prej tyre është Gjoni.
Një tjetër hetim lidhet me pistën e narkotikëve, gjatë 2024-ës shtëpia e tij është kontrolluar. Është gjetur një armë dhe dokumente false.
Për këtë arsye ndaj tij u ngrit akuza e armëmbajtjes pa leje. Në gjykatë i ndjeri kishte thënë se arma nuk ishte në pronësi të tij dhe ai nuk kishte dijeni. Në Elbasan ka grupe kriminale me veprimtari disa vjeçare nga Amerika Latine. Aspekti tjetër është se Elbasani është qyteti i dytë në vend për shpërndarjen e drogës brenda qytetit.
E treta lidhet me dyshimet dhe aktivitetin e të ndjerit dhe ka dyshime për aktivitetin e zhvillimit të fajdeve. Këto janë tre pistat kryesore”, deklaroi gazetarja Hoxha.
