Gazment Buçpapaj, i cili u arrestua mbrëmjen e të hënës në Tropojë, si autor i vrasjes së Egli Pashollarit më 20 shkurt te ish-Parku, është marrë në pyetje nga Policia për krimin e ndodhur.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka pretenduar se vrasjen e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas tij, pasi ka marrë gruan nga puna është nisur për në spital.
"Gjeta rrugën të bllokuar, i rashë borisë, por viktima më shau nga makina", është shprehur Buçpapaj para uniformave blu.
Më tej ai tregon se pasi kanë ecur edhe rreth 100 metra Pashollari ka zbritur nga makina dhe e ka sharë sërish.
"Aty u zumë me grushte dhe në kushtet e vetëmbrojtjes e godita me thikë", ka rrëfyer 40-vjeçari.
Egli Pashollari u godit disa herë me thikë pak pas orës 15:00 nga Gazment Buçpapaj, por njëra prej tyre rezultoi fatale, në pjesën poshtë shpatullës, te e cila humbi sasi të madhe gjaku.
31-vjeçari u dërgua në spital nga dëshmitarë në vendngjarje, por mbërriti pa shenja jete./Versus.al


