AKTUALITET /

“Xhaçka-Gaçi” ngec në Apelin e Posaçëm, GJKKO urdhëroi hetim, SPAK e ankimoi

Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për më 14 maj seancën mbi shqyrtimin e ankimit të SPAK mbi vendimin e gjyqtares Flora Hajredinaj që urdhëronte SPAK të hetonte Olta Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj Artan Gaçi për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe pastrim parash.

Shkruar nga Versus
“Xhaçka-Gaçi” ngec në Apelin e
Foto montazh: Olta Gjaçka dhe bashkëshorti i saj Artan Gaçi

Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për më 14 maj seancën mbi shqyrtimin e ankimit të SPAK mbi vendimin e gjyqtares Flora Hajredinaj që urdhëronte SPAK të hetonte Olta Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj Artan Gaçi për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe pastrim parash.

Shkak u bë sipas gjykatës mungesa e kallëzuesit Fredi Beleri. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Belerit i kishin nisur një shkresë Apelit të Posaçëm në përgjigje të njoftimit për gjyqin, me pretendimin se është shkelur procedura me zhvillimin e gjykimit me seancë gjyqësore dhe jo në Dhomë Këshillimi.

“Bazuar në nenin 427/a të K.Pr.Penale në lidhje me nenin 291 tëkëtij Kodi, shqyrtimi i ankimit kundër vendimeve të gjykatës sëshkallës së parë, që kanë shqyrtuar vendimet e mosfillimit tëprocedimit penal, në dhomë këshillimi, zhvillohen edhe në Gjykatën e Apelit në dhomë këshillimi. Nuk më është njoftuar ndonjë vendim I ndërmjetëm I Gjykatës për zhvillimin e gjykimit në mënyrë të ndryshme nga sa parashikon ligji, që tëpërligji njoftimin datë 25.04.2025”, thotë mbrojtja e Belerit.
 
Më tej ajo flet edhe për tagrat e përfaqësimit dhe me sa duket, në kushtet e mosreagimit të gjykatës, nuk morën pjesë në gjyq.

 “Referuar tagrave të përfaqësimit kam të drejtë të përfaqësoj z.Dhionisios Alfred Beleri në procedura gjyqësore ligjore, që do tëthotë të zhvilluara sipas procedurës së parashikuar në ligj. Nuk mund të përfaqësoj z.Beleri në këtë procedurë e cila nuk është e parashikuar në nenin 427/a të K.Pr.Penale, sipas të cilit gjykimi duhet të zhvillohet në dhomë këshillimi. Në të kundërt do të dal jashtë tagrave të përfaqësimit”, mbyllet reagimi.

Olta Xhaçka dhe i shoqi Artan Gaçi u denoncuan nga Fredi Beleri bashkë me ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro e disa zyrtarë të tjerë, për një sipërfaqe toke të cilës iu falsifikuan dokumentat e ku përfitues fundor ishte Gaçi, që mori edhe statusin e investitorit strategjik. E teksa SPAK mori të pandehur Goron e zyrtarët e tjerë, për Xhaçkën e bashkëshortin e saj pretendoi se nuk gjeti shkelje.

Beleri e çoi vendimin e SPAK për të mos hetuar çiftin e bashkëshortëve në GJKKO, dhe gjyqtarja Flojera Davidhi, konstatoi se kalëzimi i Belerit jepte indicie të forta për ti hetuar, dhe urdhëroi Prokurorinë e Posaçme për të kryer hetime. Por SPAK e ankimoi këtë vendim në Apelin e Posaçëm, duke këmbëngulur se çështja e hetuar më herët prej saj ka kaluar në filtrin e Gjykatës së Posaçme gjatë gjykimit të çështjes penale nr 189/2023 në seancë paraprake. Prokuroria e Posaçme shprehet se vendimi i GJKKO që e urdhëron të hetojë Xhaçkën e Gaçin është i pambështetur në ligj dhe në prova i cënueshme dhe si i tillë duhet të ndryshohet në tërësinë e tij.


Më poshtë arsyetimi i përmbledhur i Hajredinajt:

“Gjykata çmon se kallëzimi i shtetasit Alfred Beleri për shtetasit Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ kryer në bashkëpunim të parashikuar nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal dhe Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, deputete, për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nuk ka një vendimmarrje, dhe se ankimi i paraqitur nga shtetasi Dhionisis Alfred Beleri, për këtë pjesë të kallëzimit, është i bazuar në ligj.

Në rastin konkret, Prokuroria e Posaçme duhet të regjistrojë procedim penal dhe të vazhdojë hetimet, mbi parashtrimet në kallëzimin e regjistruar me nr. 81/2023 se ish-Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime në lidhje me falsifikimin e dokumenteve zyrtarë, të cilat janë përdorur për regjistrimin e një pasurie të paluajtshme në pronësi të subjektit Foto Mëhilli, dhe kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve, konkretisht të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, e cila në kohën e marrjes së këtyre vendimeve nga Këshilli i Ministrave, ka ushtruar detyrën shtetërore të Ministres së Mbrojtjes në atë kohë, dhe funksionin politik të deputetes.

Shtetasja Olta Xhaçka, me mosveprimet e saj, duke mos deklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor, të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit, nuk i takojnë. Kjo shtetase, nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj”.

Gjykata e Posaçme e Apelit, pas shtyrjes së seancës këtë të enjte, pritet që në vijim të dalë me një vendim. Nëse pranohet kërkesa e SPAK, Xhaçka e Bashkëshorti i saj i shpëtojnë drejtësisë por nëse miratohet vendimi i 28 shkurtit të këtij viti të gjyqtares Hajredinaj, SPAK do jetë e detyruar të regjistrojë procedimin penal dhe të hetojë “ish- çiftin investitor strategjik”./Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: