AKTUALITET /

Zaptimi i pronave për ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt, profesor Gurakuqi thirrje PD-së: A keni turp a jo, vjen një tosk të mbrojë malësorët

“Qindra banorë të Rrjollit po mbrojnë tokat e tyre kundër ndërtimit të një resorti nga Bashkim Ulaj. Profesori i njohur shkodran, Romeo Gurakuqi, i bën thirrje deputetëve të PD-së të reagojnë dhe të mbrojnë malësorët, duke kritikuar heshtjen e tyre.

Shkruar nga Versus
Zaptimi i pronave për ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt,
Romeo Gurakuqi

Qindra banorë të fshatit Rrjoll po mbrojnë tokën e tyre prej javësh, duke kundërshtuar ndërtimin e një resorti që sipas tyre shkel të drejtat e pronësisë.

Pavarësisht përpjekjeve, asnjë nga deputetët demokratë nuk ka dalë në mbrojtje të komunitetit, ndërsa projektin po realizon biznesmeni Bashkim Ulaj.

Reagimi më i ashpër erdhi nga profesori i njohur shkodran dhe ish-deputet i PD-së, Romeo Gurakuqi, i cili thekson se bregdeti shqiptar dhe tokat e malësorëve të Malësisë së Madhe janë të shenjta dhe të paprekshme.

Gurakuqi akuzon oligarkët dhe strukturat shtetërore për ndërhyrje brutale në pronat stërgjyshore dhe për krijimin e kaosit ligjor dhe administrativ përmes dokumentacionit të manipuluar.

Ai i bën thirrje qeverisë shqiptare, Policisë së Shtetit dhe deputetëve të Shkodrës të veprojnë për të mbrojtur qytetarët dhe pronën e tyre të trashëguar, duke respektuar ligjin dhe interesin publik.

Profesori Gurakuqi nënvizon se mbrojtja e pronës së qytetarëve nuk ka ngjyrë partie dhe është detyrë ligjore dhe morale e institucioneve.

Sipas Gurakuqit: “Prona e trashëguar është e shenjtë dhe e paprekshme, dhe askush nuk ka të drejtë ta dhunojë atë.”

Reagimi i Gurakuqit

Bregdeti shqiptar, nga rrjedha e djathtë e lumit Buna në Malin e Zi të sotëm deri në Bregmatë, ka qenë tërësisht pronë e fiseve të malësorëve të Malësisë së Madhe. Ka shërbyer si vendbanim dhe strehim dimëror në shtegtimin shekullor, çdo vit, sipas stinës, nga vendbanimet e origjinës të fiseve që ruajtën shqiptarinë e pastër dhe të paprekur.

Në qoftë se në dokumentacionin që ofrohet sot ka prova të përkundërta me këtë rregull, kjo vjen ngaqë në kohë të ndryshme Porta e Lartë ka caktuar personazhe të kohëve të kaluara, me shërbimin e zhbimjes të këtyre njerëzve nga këto hapësira si mjet presioni ekonomik për rezultate politike nënshtrimi, që në fakt nuk u arrit kurrë. Lexoni botimet dokumentare të Injac Zamputit dhe Peter Bartl-it dhe së fundmi  botimeve dokumebtare te Mark Palnikajt për të kuptuar sa më sipër.

Ndërkohë, në kohërat e shtetit tonë të pastabilizuar, ose të sunduar nga satrapë dhe korrupsionistë, të fortë dhe skutha të tranzicionit, në letrat shtetërore të ruajtura prej batakçinjve, në shumë raste janë futur zero në fund të fondeve të dokumentacionit, ose dysha para numrave ekzistues, ose janë dhënë letra provizore, që në kadastra dhe hipoteka janë kthyer në të përhershme duke u mbivendosur. Numrat janë të tillë që kanë krijuar kaos logjik dhe matematik, pasi ka mungesë korrespondence me realitetin e gjithë fondit të tokës.

Sot, afera e re është edhe më e komplikuar me ndërhyrjen brutale të oligarkëve të sajuar rishtazi nga hiçi qe marrin persiper te grumbullojne parate e te padukshmëve komandues, e të fortëve të kthyer në zotërinj, që kinse blejnë “pronat” me letra të reja, të cilat kanë këtë kontradiktë moskorresponduese. E gjithë kjo është pjesë e dhunës dhe strategjisë së zhbimjes nga trojet stërgjyshore të Arbërve, të pambrojtur nga askush, nga struktura që nuk dinë çfarë është Nderi, Besa, Liria, Prona dhe Jeta e Familjes për shqiptarin qe nuk u përkul asnjiherë.

Policia e Shtetit, me ligj, u shërben vetëm interesave publike dhe këto interesa fillojnë me qytetarin, jetën, familjen dhe pronën. Në asnjë rast, në një vend europian, puna e policisë nuk fillon me mbrojtjen e të fortëve, zaptuesve dhe të shfaqurve papritur nga hiçi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit  zoti Proda, mban përgjegjësi direkte për respektimin e ligjit, paanësinë, hetimin paraprak të dokumentacionit, dërgimin e përfaqësuesve institucionalë të edukuar që dinë të respektojnë etikën e komunikimit qytetar. Përndryshe, dërgimi i monstrave militante gegofobe dhe fanatike për dhunimin e një komuniteti që ka vuajtur prej shekujsh nga perandorë, satrapë, diktatorë dhe korrupsionistë modernë, është një fakt i ndodhur, që nuk mund të pranohet dhe anashkalohet me harresë, as nga autoritetet ligjzbatuese, as nga ana e Avokatit të Popullit, zotit Endri Shabani.

E njëjta gjë mund të thuhet për deputetët e Shkodrës, të tri partive parlamentare: heshtja juaj është për të ardhur keq;  është mjerim në ushtrimin e funksionit publik që për ju fillon me qytetarin, gjë që e keni lënë në duart e rastisë dhe rrjedhës së balancave të nëndheshme, sikurse edhe në Theth. Në mbrojtjen e qytetarit nuk ka parti dhe kryetar partie qe mund t'ju komandojë; nuk ekzistojne kujdese per t'u ruajtuar nga qejfmbetjet e komandave obskure; betimi mbi Kushtetutë jua detyron pa ngurrim dhe me vetmohim, mbrojtjen e te drejtave qytetare qe janë të parat ne interesat publike. Keni një model sjelljeve nga deputeti i Pogradecit, Erald Kapri që vjen nga Toskeria të mbrojë malesorët Gegë të Shkodrës, sepse e therret detyra, ndërgjegja e kombëtare; sepse e din se amaneti i të Parëve është i shenjtë dhe i paprekshëm; sepse trualli stërgjyshor i rezistencës, mbrojtjes se identitetit dhe familjes është i pacenueshëm.

Një thirrje shkon për qeverinë shqiptare për të ndalur yryshin e Trusteve të krijuara nga askushët e djeshëm, dhunues të sotëm, pretendues për sundues të së nesërmes:

Prona e Trashëguar është e Shenjtë dhe e Paprekshme./Versus.al

Poll