Hetuesit që po shqyrtojnë çështjen e Franc Çopjas, kanë bërë publike detaje të reja tronditëse mbi mënyrën se si u organizua vrasja e Ardit Spahiut, ekzekutuar më 27 nëntor 2020 në Bruksel.
Gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel, u lexuan mesazhet e dekriptuara nga 29 pajisje komunikimi SKY ECC, të përdorura nga grupi kriminal për koordinimin e atentatit.
Hetuesit ndanë rolet mes tyre, duke lexuar me zë të ndryshëm mesazhet për secilin të akuzuar, me qëllim që gjykata të kishte një pasqyrë të qartë të përfshirjes së nëntë personave që ndodhen në proces.
Leximi u shoqërua me një prezantim prej 260 slajdesh, i cili ndihmoi në interpretimin e përmbajtjes, tonit dhe volumit të komunikimeve të ndërlidhura me atentatin.
Nga bisedat e dekriptuara rezulton se pin-i SKY ECC, i atribuuar Flobenc Meçjas, i akuzuar si ekzekutor i vrasjes, kishte ndjekur Ardit Spahiun për disa ditë para ngjarjes.
Në një prej mesazheve të datës 19 nëntor 2020, Meçja shkruante: “Shpresoj ta mbarojmë këtë bastard deri në fund të muajit, sepse duhet të kthehem në Shqipëri se do lindë gruaja ime.”
Pak minuta pas atentatit, më 27 nëntor 2020, në orën 17:56, ai dërgon një seri emojish triumfuese, të ndjekura nga fjala “Ciao”, drejt pin-it SKY të atribuuar Franc Gergely-t.
Sipas hetuesve, një pjesë e madhe e komunikimeve lidhen me Flobenc Meçjan, 43 vjeç, dhe Mikael Qosjan, 38 vjeç, të cilët ndodhen në arrati dhe nuk kanë përfaqësim ligjor në gjyq. Në krahasim me ta, mesazhet e attribuara Franc Çopjas përbënin një pjesë më të vogël të totalit.
Megjithatë, sipas organigramës kriminale të Prokurorisë Federale, pin-i i Franc Çopjas rezulton se ka qenë pika lidhëse mes Meçjas dhe Qosjas, duke luajtur rolin e ndërmjetësit në këtë grup të strukturuar kriminal./Versus.al

