Artur Kseno përgjegjës i zjarrfikësve në Delvinë foli për situatën e zjarreve në fshatrat Vllahat dhe Kostar ku prej orësh po shkrumbohen qindra hektarë tokë.
Kseno tha se era ka favorizuar përhapjen e flakëve duke u vështirësuar punën zjarrfikësve, ndërsa tha se zjarret kanë qenë të qëllimshme.
“Për momentin kemi një vatër shumë të nxehtë në Vllahat, në krahun e majtë tonin siç e shikoni. Në të cilën po ndërhyhet nga ajri me helikopterë, dhe gati gati po vendoset në kontroll gjithë zona e Delvinës. Situata ka shkarë deri në fshatin Kostar, atje ku ka edhe dëme. Era e komplikoi përsëri. E kemi vendosur të gjithën nën kontroll. Për momentin nuk na rrezikohen banesa dhe jetë njerëzish, që është kryesorja për ne. Po vazhdohet me 8 mjete zjarrfikëse, rreth 110 forca zjarrfikëse, operacioni drejtohet direkt nga kryetari i bashkisë Delvinë, sikurse dhe nga Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Kemi vetëm 1 apel, pasi kemi rreth 33 ditë sot që po luftojmë vërtet me zjarret dhe janë zjarre nga dora e njeriut, nuk janë nga pakujdesia. thjesht bëjmë vetëm një thirrje, na ndihmoni dhe ne të bëjmë punën tonë dhe ju të ruani pronën tuaj”- tha Kseno për Report Tv.
Ndërkohë në vendngjarje ndodhen 110 zjarrfikës që po punojnë për shuarjen e flakëve. Versus.al







