Shqipëria po përballet me situatë të rëndë nga zjarret, të cilat janë përhapur në disa zona të vendit, nga veriu në jug.
Në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë, flakët që morën përmasa të mëdha pasditen e djeshme kanë vijuar edhe gjatë natës, por me intensitet më të ulët. Në fshatin Pecë, vatra është shuar gjatë natës, ndërsa prej mëngjesit në zonën e Syrit të Kaltër po ndërhyhet nga ajri me një avion Canadair dhe një helikopter.
Një ditë më parë u evakuuan vizitorët nga parku natyror, ndërsa qarkullimi Muzinë–Sarandë u mbyll për shkak se flakët zbritën deri në rrugë. Probleme u shënuan edhe në segmentin Bistricë–Muzinë.
Aktualisht, zjarri mbetet aktiv pranë fshatit Pecë, në perëndim të Syrit të Kaltër, ndërsa janë shuar vatrat në fshatrat Ninat dhe Janjar të bashkisë Konispol.
Në veri, situatë alarmante paraqitet në Xath të Fushë Arrëzit, ku një vatër e rënë ditën e djeshme ka përfshirë rreth 35 hektarë pyje. Banorët e Xathit dhe Fletit vijojnë të jenë të evakuuar, ndërsa ndërhyrja nga ajri ende pritet. Tymi i dendur ka mbuluar qytetin e Pukës, rreth 40 kilometra larg vatrës.
Problematike është edhe situata në Finiq, ku prej disa ditësh flakët janë përhapur nga një fshat në tjetrin. Në Leshnicë të Poshtme janë djegur disa banesa. Zjarre me përmasa të mëdha janë regjistruar edhe në malin e Poliçanit në Berat./Versus.al







