Situata me zjarret në jug të vendit mbetet e rënduar. Vatra të mëdha janë aktive në Kalasë të Delvinës, ndërsa flakët janë përhapur edhe drejt fshatrave Shën Vasil dhe Vanë. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren, duke punuar për të ndaluar përhapjen e zjarrit pranë zonave të banuara.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një postimi në rrjetet sociale, u përpoq të qetësonte banorët, duke theksuar se situata është nën kontroll dhe se operacionet do vijojnë gjatë gjithë natës.
“Pas disa orëve ndërhyrje nga ajri, Forcat e Armatosura dhe MZSH kanë intensifikuar luftën me zjarrin në terren, si pasojë e erërave të forta që kanë ngacmuar flakët. Fatmirësisht zjarri ndodhet larg zonave të banuara. Efektivët tanë do të vijojnë angazhimin e tyre gjatë gjithë natës, nën monitorimin dhe orientimin e dronëve,” – shkruan Vengu.
Ndërkohë, situatë kritike paraqitet në Shalës, ku flakët ndodhen vetëm 500 metra larg banesave të para. Në terren janë angazhuar tre automjete zjarrfikëse. Gjendja mbetet shqetësuese edhe në fshatin Sasaj, ku era favorizon përhapjen e zjarrit.







