
Arben Cara, shefi i Shërbimit Zjarrfikës dhe kryepolici i Shqipërisë, Skënder Hita kanë folur nga vendngjarja në zonën e "5 Majit" në kryeqytet, ku prej më shumë se dy orësh një kullë banimi shumëkatëshe është përfshirë nga flakët.
“Kemi angazhuar të gjitha kapacitetet që kemi për të bërë të mundur lokalizimin e flakëve. Është akoma shumë herët për të thënë që zjarri është fikur, pasi po punohet në të gjitha drejtimet për të lokalizuar vatrat e zjarrit që ndodhen brenda banesave. Kemi bërë të mundur lokalizimin e zjarrit që të mos përhapet në kullat përreth. Tirana është angazhuar me të gjitha kapacitetet e plota, mbi 50 zjarrfikës nga Bashkia Tiranë, nga Vora dhe nga Kamza. Zjarrfikësit e ushtrisë janë këtu.
Në orën 16:52, nga salla e policisë, ne kemi marrë lajmërimin për një zjarr në këtë kompleks dhe më pas unë kam komunikuar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorin e emergjencave civile, ministrin e Brendshëm dhe kemi bërë të mundur angazhimin e forcave që tashmë po punojnë intensivisht për lokalizimin e vatrave.
Nuk mund të flasim për sa apartamente janë shkrumbuar, pasi do të bëhet një bilanc më vonë, por mund të themi se zjarri ka përfshirë të gjithë pjesën e verilindjes së pallatit, nga kati i parë deri në katin e fundit, është përfshirë i gjithë.”– tha Cara.
Ndërkohë, kryepolici Skënder Hita konfirmoi se fatmirësisht deri tani nuk ka asnjë humbje jete, përveç dy qytetarë me shenja asfikësie dhe efektivë zjarrfikës me djegie të lehta. Ai theksoi se Policia e Shtetit ka indicjet e para për shkakun.
"Tani akoma s'kemi bërë bilancin përfundimtar të pasojave, nëse do ketë të tjera. Do kontrollojmë të gjitha ambientet pas stabilizimit të situatës. Në spital ka efektivë të zjarrfikëses, kemi komunikuar, kanë djegie të lehta.
Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar menjëherë sapo janë njoftuar. Janë vënë në gatishmëri repartet FNSH dhe RENEA për të hapur dyert e bllokuara. Deri tani nuk ka humbje jete, por nuk janë kontrolluar të gjitha apartamentet.
Po marrim kamerat e sigurisë, kemi indicjet tona, po kryejmë të gjitha veprimet hetimore. Në fund, nëse do të ketë përgjegjësi, patjetër do të ketë edhe masa", u shpreh Skënder Hita, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit./Versus.al


