Qeveria shqiptare ka miratuar sot hapjen zyrtare të pikës së kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku theksohet se pika kufitare do të funksionojë në përputhje me standardet dhe rregullat ndërkombëtare, duke garantuar kontrolle të plota për hyrje-daljet e shtetasve.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, si dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ky vendim vjen në kuadër të përgatitjeve për funksionalizimin e plotë të aeroportit të ri në Vlorë, i cili pritet të jetë një nga nyjet kryesore të transportit ajror në jug të vendit dhe rajon.
VENDIMI I QEVERISË:
HAPJEN E PIKËS SË KALIMIT KUFITAR NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË VLORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Hapjen e pikës së kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës për qarkullimin ndërkufitar ajror të shtetasve.
2.Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /Versus.al







