
Ish-kongresistja amerikane, Marjorie Taylor Greene, e cila u nda prej presidentit Donald Trump masi që ishte njëra prej aleatëve të tij ma të fortë në Dhomën e Përfaqësuesve, e ka dënuar kërcënimin më të fundit të presidentit amerikan për me “shkatërruar krejt civilizimin” në Iran.
“Asnjë bombë nuk ka rënë mbi Amerikën. Nuk mundemi të vrasim një civilizim të tërë. Kjo është e keqe dhe çmenduri”, ka shkruar Taylor Greene në X.
Ajo gjithashtu ka kërkuar aktivizimin e Amendamentit të 25-të të Kushtetutës së SHBA-së për me e larguar Trumpin prej detyrës së presidentit.
Edhe përfaqësues të Partisë Demokratike ditëve të fundit kanë kërkuar aktivizimin e këtij amendamenti, duke i dënuar kërcënimet e Trumpit për me shkatërruar ura, centrale elektrike dhe infrastrukturë tjetër civile në Iran, çka do të përbënte krime lufte.
Amendamenti i 25-të i Kushtetutës së SHBA-së rregullon situatat kur presidenti nuk është më në gjendje për të ushtruar detyrën, përkohësisht ose përgjithmonë.
Pjesa më e përmendur e tij lejon që zëvendëspresidenti, me mbështetjen e shumicës së kabinetit, t’i marrë kompetencat e presidentit nëse vlerësojnë se ai nuk është në gjendje me udhëheqë shtetin. Versus.al

