
Mbretëria e Bashkuar ka konfirmuar se droni që goditi një bazë ushtarake britanike në ishullin mesdhetar të Qipros dy ditë më parë nuk është lëshuar nga Irani.
Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur se mjeti ajror pa pilot ishte i ngjashëm me modelin “Shahed”, një dron sulmues i projektuar nga Irani. Megjithatë, autoritetet britanike nuk kanë specifikuar ende vendin nga ku është nisur sulmi.
Nga ana tjetër, autoritetet qipriote kanë dhënë një vlerësim paraprak mbi origjinën e dronit. Zëvendëszëdhënësi i qeverisë së Qipros, Yiannis Antoniou, deklaroi për transmetuesin shtetëror RIK se, bazuar në informacionet e mbledhura nga Garda Kombëtare dhe shërbime të tjera të sigurisë, ekziston dyshimi se droni mund të jetë nisur nga territori i Libanit.
Ngjarja ka rritur shqetësimet për sigurinë në Mesdheun Lindor, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta.
Baza u godit nga një dron i tipit “Shahed”, duke shkaktuar dëme të kufizuara materiale në pistë. Raportet përmendin gjithashtu një dron të dytë identik, i cili u interceptua menjëherë.
Ndërkohë, Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healy, deklaroi më herët se dy raketa iraniane ishin qëlluar në drejtim të Qipros dhe ishin interceptuar. Britania mban baza ushtarake në territorin qipriot.
Në një reagim zyrtar, Zëdhënësi i Qeverisë së Qipros sqaroi se nuk ka pasur lëshim raketash drejt vendit dhe nuk ekziston asnjë tregues për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Qipros, duke theksuar se autoritetet kompetente po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme./Versus.al


