AKTUALITET /

Operacioni Antidrogë në Tiranë, ekzekutohen 17 urdhërarreste, 16 të tjerë në kërkim: Shpërndarësit e drogës u zbuluan përmes përgjimeve

Antidroga e Tiranës ka goditur një rrjet të dyshuar për shpërndarje droge, duke arrestuar 15 persona, shpallur 16 në kërkim dhe sekuestruar lëndë narkotike, pas hetimeve disa mujore që zbuluan aktivitetin e tyre në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Shkruar nga Versus
Operacioni Antidrogë në Tiranë, ekzekutohen 17
Pamje nga aksioni

Pas tre muajsh hetime intensive, Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë ka finalizuar operacionin e koduar “Final”, një nga goditjet më të mëdha të fundit ndaj rrjeteve të dyshuara për shpërndarje droge në kryeqytet.

Sipas Policisë së Shtetit, gjatë hetimeve janë identifikuar 36 shtetas, të cilët dyshohet se vepronin të veçuar ose në grupe të organizuara dhe shpërndanin lëndë narkotike të llojeve të ndryshme në zona të ndryshme të Tiranës. Aktiviteti i tyre dyshohet se kishte shtrirje të gjerë dhe funksiononte në mënyrë të strukturuar.

Në kuadër të operacionit është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 15 persona, të cilët akuzohen si pjesë e këtyre grupeve. Mes tyre janë:  Arsen Shahollari, Ilir Baruti, Visar Alla, Xhemal Gjoka (Boja), Jurgent Ibrahimi, Ermond  Osmani, Aljon Çezma, Abdulla Gega, Klevin Nika, Albi Çela, Saimir Duraj, Edison Mera, Eris Hoxha, Emra Idrizi dhe Glerjan Hoxhalli.

Gjithashtu, gjatë fazës hetimore janë arrestuar edhe 5 shtetas të tjerë, konkretisht A. M., E. K., A. K., E. M. dhe I. C., ndërsa 16 persona të tjerë të identifikuar si pjesë e të njëjtave grupe janë shpallur në kërkim. Policia bën me dije se puna vijon për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, konkretisht 60 kg e 300 gramë Cannabis Sativa dhe 2 kg e 50 gramë kokainë. Po ashtu janë gjetur dhe sekuestruar edhe 4 armë, mes tyre një pistoletë dhe tre armë gjahu, si dhe shuma të mëdha parash: 121 mijë euro, 60 milionë lekë dhe 5 mijë paund britanikë. Gjithashtu janë sekuestruar 14 celularë, peshore elektronike dhe 3 automjete të dyshuara si të përdorura në aktivitetin kriminal.

Hetimet janë bazuar në përgjime dhe analiza të komunikimeve, të cilat kanë ndihmuar në zbardhjen e strukturës së grupeve dhe identifikimin e pjesëtarëve të tyre. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet pas 3 muajsh hetime, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Final”.
Goditen disa grupe që shitnin lëndë narkotike.

Identifikohen 36 shtetas, pjesëtarë të grupeve, të cilët, të veçuar ose në grupe, shitnin lëndë narkotike, të llojeve të ndryshme.

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 15 pjesëtarë të grupit. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 16 të tjerëve.

5 shtetas janë vënë në pranga gjatë periudhës hetimore.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 60 kg e 300 gramë Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë Kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 60 milionë lekë, 5000 paundë, celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Si rezultat i punës hetimore intensive të kryer gjatë 3 muajve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është finalizuar operacioni i koduar “Final”, për goditjen e disa grupeve që shitnin lëndë narkotike.

Gjatë operacionit, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 15 shtetas që kryenin këtë veprimtari kriminale, konkretisht:
-A. Sh., 31 vjeç; I. B., 66 vjeç; V. A., 29 vjeç; Xh. Gj(B)., 26 vjeç; J. I., 28 vjeç; E. O., 47 vjeç; A. Ç., 42 vjeç; A. G., 41 vjeç; K. N., 26 vjeç; A. C., 21 vjeç; S. D., 32 vjeç; E. M., 29 vjeç; E. H., 25 vjeç; E. I., 30 vjeç; G. H., 37 vjeç.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrolleve në banesat e tyre, gjatë periudhës hetimoe dhe gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë, janë gjetur dhe sekuestruar: 60 kg e 300 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 2 kg e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 60 milionë lekë, 5000 paundë, 14 celularë, peshore elektronike dhe 3 automjete.

Gjatë periudhës hetimore janë identifikuar dhe arrestuar shtetasit: A. M., E. K., A. K., E. M. dhe I. C..
16 shtetasit e tjerë të identifikuar nga hetimet, si pjesë e këtyre grupeve, janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Versus.al

Tags:

droge shkolle

Poll