
Disa nga personat që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzoi për sulmin në Banjskë të Zveçanit - ose së paku një prej tyre - dhe që kërkohen nga autoritetet kosovare, u panë në një protestë të rrethuar nga policia në qendër të Beogradit.
Prishtina zyrtare thotë se personat e akuzuar për sulmin e 24 shtatorit, 2023, u panë më 28 qershor në Parkun e Pionierëve në Beograd, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Por, nga autoritetet shtetërore të Serbisë nuk ka ende ndonjë reagim.
Duke përdorur mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, i cili është një prej 45 personave të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.
Megjithatë, bazuar në informacionet publike në Serbi, ai nuk është i akuzuar për këtë vepër penale.
Radio Evropa e Lirë, bazuar në pamjet nga rrjetet sociale, arriti t’i identifikonte së paku 11 persona të mbledhur në disa grupe, anëtarët e të cilëve ishin të veshur me këmisha të njëjta ngjyrë jeshile.
Sipas fotografive dhe videove të disponueshme, këto grupe qëndronin pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë dhe afër njësive të policisë.
Dy protesta me qëllime të kundërta
Më 28 qershor, në Beograd u mbajt një protestë e organizuar nga studentët në bllokadë.
Sipas vlerësimeve të Arkivit të Tubimeve Publike, rreth 140.000 njerëz u mblodhën në Sheshin Sllavija, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe largimin e të ashtuquajturit “Qacillend”.
Fjala është për një kamp me tenda, që u ngrit para tre muajsh në Parkun e Pionierëve, rreth një kilometër larg Sheshit Sllavija.
Në anën tjetër të këtij parku gjendet Presidenca e Serbisë.
Në kamp janë vendosur disa studentë që “duan të mësojnë” dhe që kërkojnë rihapjen e fakulteteve, të bllokuara tash e shtatë muaj nga studentët protestues.
Bllokada e tyre nisi pas shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, ku për pasojë 16 persona humbën jetën.
Grupit në Parkun e Pionierëve iu bashkuan edhe disa ish-anëtarë të “Beretave të Kuqe” - një formacion i shpërbërë për shkak të lidhjeve me vrasjen e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, në vitin 2003.
Me kalimin e kohës, zona u rrethua me gardhe metalike dhe u vendos nën mbrojtjen e policisë.
Ndërsa turma bllokonte Sheshin Sllavija dhe rrugët që çonin atje, mbështetësit e pushtetit në Parkun e Pionierëve organizuan një “mbrëmje letrare”.
Atyre iu bashkuan edhe udhëheqësit kryesorë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiqit, përfshirë edhe vetë Vuçiqin në një moment.
Mes tyre ishte edhe Dragosllav Bokan, ish-udhëheqës i grupit paramilitar “Beli orlovi”, dhe Goran Radosavleviq Guri, ish-gjeneral i policisë, i cili është i lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyçi - dy shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova - në vitin 1999.
Por, ata nuk ishin të vetmit.
Të rinjtë me këmisha jeshile
Ndërsa politikani opozitar serb, Gjorgje Miketiq, ndau në rrjetin social X një fotografi me tre burra dhe pyeti nëse ishin persona nga Banjska, disa media në gjuhën shqipe raportuan se në grupet në Parkun e Pionierëve ishin edhe katër persona të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Aktakuza u ngrit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator të vitit 2023, në Banjskë - pjesa veriore e Kosovës - ku u vra oficeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Grupin, sipas vetë pranimit të tij, e udhëhoqi Millan Radoiçiq, i cili më parë njihej si biznesmen nga Kosova.
Radoiçiq dhe disa anëtarë të grupit që kreu sulmin, pas përleshjeve të armatosura, u tërhoqën në territorin e Serbisë.
Duke përdorur mjetet e njohjes së fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiqin, nga Mitrovica e Veriut, i cili është një nga 45 personat e akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.
Ai është në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, për të cilat Radio Evropa e Lirë konstatoi se janë bërë më 28 qershor pranë Parkut të Pionierëve.
Vuçetiq, përndryshe, ka një profil të hapur në Facebook, ku shpesh poston fotografi me familjen, nga palestra apo kafeneja.
Në rrjetet e tij sociale, ai shihet me të njëjtën këmishë jeshile. Por në vitin 2010, për shembull, ai dukej edhe me një xhaketë me simbole të Obraz-it - një organizatë ultra-djathtiste që Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi në vitin 2012, për shkak të, siç u tha, diskriminimit ndaj pakicave dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes.
Shtatë vjet më herët, Ministria e Brendshme e Serbisë e etiketoi Obraz-in si organizatë klero-fashiste.
Nga 45 të akuzuarit prej autoriteteve kosovare, vetëm tre anëtarë të grupit janë aktualisht në gjyq në Kosovë.
Vuçetiq dhe numri më i madh i të akuzuarve të tjerë janë në arrati dhe për ta është lëshuar një urdhër arrestimi nga ana e Interpol-it.
Heshtje në Serbi, ndërsa Kurti akuzon
Për pretendimet se në grup gjendeshin edhe tre persona të tjerë të kërkuar, Millorad Jevtiq Miqko, Zharko Cvetkoviq dhe Vukashin Jarediq, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të gjente dëshmi të pavarura bazuar në mjetet forenzike.
REL-i pyeti Ministrinë e Brendshme të Serbisë nëse i ka identifikuar personat që gjendeshin pranë brigadës së policisë, si dhe çfarë masash ka marrë lidhur me urdhrin ndërkombëtar të arrestimit për Vuçetiqin dhe të tjerët - të lëshuar nga Interpol-i në dhjetor të vitit 2023, me kërkesë të Kosovës. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti më 30 qershor se personat e akuzuar për sulmin në Banjskë, duhet të ekstradohen në Kosovë.
“Tani, të njëjtët njerëz janë më afër presidentit të Serbisë [Aleksandar Vuçiq] sesa sigurimi i tij. Kjo tregon se kishim të drejtë kur thamë se ky grup kriminal dhe terrorist udhëhiqet dhe financohet nga Beogradi dhe se nuk është një grup huliganësh. Këta janë njerëz që janë trajnuar në Serbi, kanë marrë urdhra nga atje dhe kanë kryer agresion ndaj Kosovës”, u tha Kurti gazetarëve. REL







