BOTA /

"Nga prirjet sek*uale tek hobit", DW: Valë padish në Gjermani ndaj Meta-s, mbledh shumë të dhëna

Meta mbledh të dhëna edhe jashtë platformave të veta si Facebook, Instagram apo WhatsApp. Për këtë ndihmojnë instrumente të padukshme biznesi. Tani gjykatat po vendosin nëse kjo shkel mbrojtjen e të dhënave.

Shkruar nga Versus
"Nga prirjet sek*uale tek hobit", DW: Valë padish në

 

Kush përdor rrjetet sociale e di se të dhënat e tij mblidhen, analizohen dhe shpërndahen – sidomos për reklama të personalizuara. Por Meta shkon edhe një hap më tej dhe mbledh edhe të dhëna që nuk vijnë fare nga faqet e saj.

"Imagjinoni sikur të hyni në një dyqan dhe një punonjës t'ju vendosë pa u vënë re një mikrofon në supe, i cili pastaj jashtë regjistron bisedat dhe lëvizjet tuaja, te mjeku, në zyrë apo privatisht në dhomën e gjumit,” thotë Daniela Holzinger, kryetare e Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit (VSV). "Ky është interneti i vitit 2026, pothuajse çdo klikim, çdo kërkim, çdo blerje në internet mund të lexohet nga Meta, madje edhe kundër vullnetit tuaj të shprehur qartë.”

"Business Tools”si spiunët e Metës
Ajo që në jetën reale do të shkaktonte tronditje, në internet pothuajse nuk vihet re. Prej vitesh këto "mikrofona virtualë” dëgjojnë përdoruesit e internetit. Kjo funksionon përmes të ashtuquajturave "Business Tools”.

Këto janë programe të padukshme për përdoruesit, që Meta ua vë në dispozicion kompanive të tjera, si operatorëve të faqeve online ashtu edhe zhvilluesve të aplikacioneve. Premtimi është: me këto mjete, reklamat në Meta mund të optimizohen. Falë tyre, reklamuesit shohin se sa të suksesshme janë reklamat e tyre nëFacebook ose Instagram dhe mund të përshtatin strategjitë.

Sipas Max Baumeister, këto mjete janë projektuar në mënyrë të tillë që nuk mund të shmangen. "Edhe nëse keni studiuar informatikë dhe përpiqeni maksimalisht, thjesht nuk është e mundur.” Baumeister është drejtor i zyrës juridike të konsumatorëve BK Baumeister & Kollegen, e cila merret me padi individuale dhe kolektive kundër Metës për shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave.

Të prekur janë të gjithë përdoruesit e internetit, pavarësisht nëse përdorin apo jo Meta-n. Fshirja e llogarisë në Instagramose Facebook nuk ndihmon.

Një pjesë e madhe e faqeve të internetit është e prekur
Ndërkohë, këto mjete gjenden në faqe të panumërta – nga portale lajmesh dhe blerjesh me shumë vizitorë, deri te faqet e takimeve dhe ato erotike. "Vlerësimet tregojnë se këto përdoren në të paktën 30 deri në 40 për qind të faqeve të internetit në botë dhe në shumicën e 100 faqeve më të vizituara në Gjermani,” konstatoi Gjykata e Landit në Berlin II.

Çdo klikim dhe çdo të dhënë e futur në faqe që nuk janë të Metës përfundon te Meta – ruhet, analizohet dhe shpërndahet, pa u ditur se ku: emra, adresa emaili, numra telefoni, hobi, status familjar, bindje politike, probleme psikologjike, prirje seksuale lista është e pafund.

"Çdo përdorues mund të identifikohet individualisht nga Meta në çdo moment sapo viziton faqe të treta ose përdor një aplikacion, edhe nëse nuk është futur përmes llogarisë së tij në Instagram apo Facebook,” thuhet në një vendim të Gjykatës së Landit në Leipzig.

Meta refuzoi të komentojë për DW mbi paditë dhe akuzat për shkelje të të drejtave të privatësisë.

Shanset e padive për sukses
Ndërkohë, shumë njerëz janë ndërgjegjësuar dhe po kundërshtojnë këtë "mikrofon virtual”. "Në Gjermani, Meta përballet tani me një valë të madhe kërkesash për dëmshpërblim.” Deri në mars 2026, rreth 91.500 përdorues të Facebook-ut dhe/ose Instagramit i janë bashkuar padisë kolektive, sipas Stiftung Warentest. Edhe 300.000 persona të tjerë kanë angazhuar avokatë përmes portalit meta-klage.de.

Vetëm në Gjermani, rreth 50 milionë vetë kanë llogari në Meta dhe mund t'i bashkohen padisë.

Në fillim, rreth 90 për qind e proceseve janë humbur nga paditësit, sipas Baumeister, sepse çështja është shumë komplekse dhe kompanitë e mëdha përdorin dokumente të gjata dhe të ndërlikuara për ta bërë më të vështirë për gjykatat trajtimin e çështjes. Megjithatë, deri tani nëntë nga 22 gjykatat e larta rajonale në Gjermani kanë vendosur në favor të paditësve.

"Gjykatat në Gjermani e kanë dënuar Meta-n në rreth 1000 raste me dëmshpërblime deri në 10.000 euro dhe pothuajse gjithmonë edhe për ndalimin dhe fshirjen e të dhënave,” thotë Stiftung Warentest.

Dëmshpërblimet ndryshojnë shumë sipas gjykatave
Shuma e dëmshpërblimit nuk është uniforme. Gjykatat në Mainz dhe Ellwangen kanë dhënë nga 10.000 euro secila. Gjykata e Lartë në Dresden vendosi në shkurt 2026 që Meta të paguajë 1500 euro për person. Ndërsa në dhjetor 2025, Gjykata e Lartë në Mynih e konsideroi të drejtë vetëm 750 euro.

Vendimet ende nuk janë përfundimtare. Tani pritet vendimi i Gjykatës Federale të Drejtësisë (BGH) në Karlsruhe, i cili pritet vitin e ardhshëm dhe do të vendosë një standard për gjykatat e tjera.

Efekt i mundshëm në vendet e tjera të BE-së
Janë kryesisht përdorues gjermanë që po ndërmarrin hapa ligjorë kundër Metës. Padi të ngjashme ka edhe në Austri. Megjithatë, vendimi i BGH mund të ketë ndikim edhe përtej Gjermanisë, pasi është një nga gjykatat më të rëndësishme në Evropë.

Në skenarin më të mirë për paditësit, Meta do të detyrohet të paguajë dëmshpërblim dhe të ndalojë mbledhjen e të dhënave.

Megjithatë, zbatimi i vendimeve kundër një kompanie të huaj si Meta, me seli në Irlandë, është i ndërlikuar. Meta fiton rreth 50 miliardë euro në vit në Evropë – gati një miliard euro në javë. Sipas Baumeister: "Meta e zvarrit çështjen dhe përfiton sa kohë nuk ka masa efektive për ta ndaluar.”

Edhe "bashkëpërgjegjësit” mund të mbajnë përgjegjësi
Një vendim i BGH mund të prekë edhe kompanitë që përdorin këto instrumenta në faqet e tyre. Edhe pse deri tani është paditur vetëm Meta, pa këto kompani një mbledhje kaq e gjerë e të dhënave nuk do të ishte e mundur.

"Gjykata Evropiane ka përcaktuar se ekziston përgjegjësi e përbashkët midis operatorëve të faqeve dhe Metës,” thotë Baumeister. Shumë prej tyre janë kompani të mesme që do të preken shumë më tepër nga gjobat sesa Meta. Nëse ato ndalojnë pjesëmarrjen, i gjithë sistemi do të ndalet. DW

Poll