Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka bërë një deklaratë të fortë nga Forumi Strategjik i Bledit, duke thënë se Serbia ndodhet në prag të një lufte civile. Komentet e tij u bënë gjatë një paneli liderësh që diskutuan mbi situatën politike në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Sipas Plenkoviç, protestat që kanë përfshirë Serbinë janë ndër më të gjatat dhe më intensive të dekadës së fundit, duke zgjatur tashmë më shumë se dy vjet, dhe kanë krijuar një situatë politike të pazakontë dhe të tensionuar.
“Këto protesta të vazhdueshme kanë zgjatur praktikisht për më shumë se dy vjet, gjë që është ende një situatë e pazakontë. Kjo është arsyeja pse e thashë për audiencën që nuk i ndjek të gjitha detajet – që të kenë një ide më të qartë se sa serioze është kjo situatë në të vërtetë, sidomos në muajt e fundit. Nuk është se po mbështes ndonjë skenar të tillë, thjesht po e përshkruaj ftohtësisht”, tha Plenkoviç.
Protestat në Serbi kanë shpërthyer pas një tragjedie të rëndë në Novi Sad, ku 16 persona humbën jetën nga shembja e një strehimi prej betoni në stacionin hekurudhor. Ngjarja tragjike ka nxitur një valë zemërimi dhe revolte, sidomos nga studentët, të cilët kanë marrë udhëheqjen e protestave masive në shumë qytete të vendit.
Protestuesit kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë dhe refuzojnë të pranojnë heshtjen e autoriteteve, të cilat nuk kanë marrë masa konkrete për të ndëshkuar përgjegjësit. Ata gjithashtu po kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të reja, duke argumentuar se qeveria aktuale e ka humbur legjitimitetin.
Kriza politike në Serbi po thellohet çdo ditë, ndërkohë që tensionet mes qytetarëve dhe autoriteteve po rriten ndjeshëm, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë kthimin në normalitet.







