
Shasime Osmani është zgjedhur deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës, duke u bërë një nga 160 përfaqësuesit e rinj të këtij institucioni. Me prejardhje nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, Osmani përfaqëson një histori suksesi të diasporës shqiptare në Zvicër.
Familja e saj ka një rrugëtim të gjatë migrimi: gjyshi u vendos në Zvicër në vitin 1979, ndërsa babai iu bashkua në vitin 1993. Vetë Shasimja u shpërngul në Bernë në vitin 1999, kur ishte vetëm një vjeçe. Ajo u rrit në lagjen Bümplitz-Bethlehem, një zonë e njohur për sfidat sociale dhe arsimore që përballin të rinjtë.
Aktualisht studente e drejtësisë në Universitetin e Bernit, Osmani ka gjithashtu një formim profesional në fushën e biznesit. Në fushatën e saj, ajo u përqendrua te përfaqësimi i grupeve të margjinalizuara, duke theksuar se synon të jetë “zëri i atyre që nuk dëgjohen”.
Zgjedhja e saj konsiderohet një arritje e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Zvicër, si dhe një sinjal për përfshirje më të madhe të të rinjve në politikë. Ajo fitoi besimin e 9,641 votuesve në Kantonin e Bernës./Versus.al

