Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi vendosjen e tarifave prej 25% për importet nga Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Vendimi u njoftua përmes dy letrave që ai postoi në platformën Truth Social, drejtuar udhëheqësve të të dy vendeve.
Sipas CNN, në letra, Trump shpreh bezdisjen e tij për deficitet tregtare të SHBA-së me të dy vendet, duke pretenduar se Uashingtoni importon më shumë produkte sesa eksporton. Ai thekson se tarifat po vendosen gjithashtu në përgjigje të politikave që, sipas tij, pengojnë shitjen e mallrave amerikane jashtë vendit.
Trump po u bën thirrje kompanive japoneze dhe koreano-jugore që të zhvendosin prodhimin e tyre në SHBA për të shmangur tarifat e reja. Ai thotë se nëse investojnë në Shtetet e Bashkuara, "nuk do të ketë tarifa" dhe premton miratim të shpejtë të licencave të nevojshme.
"Nëse për ndonjë arsye vendosni të rrisni tarifat tuaja, atëherë kjo përqindje do t'i shtohet 25% që ne aplikojmë", thotë ai.
Presidenti i SHBA-së ka vendosur një afat deri më 9 korrik për arritjen e marrëveshjeve të reja tregtare, pasi pezullimi i përkohshëm i tarifave "hakmarrëse" që ka qenë në fuqi që nga prilli skadon. Ai tha gjithashtu se po shqyrton dërgimin e letrave të ngjashme në vende të tjera.







