AKTUALITET /

Nesër Gjykata e Lartë vendos për fatin e Erion Veliajt: burg apo lirimi me kusht?

Trupa gjykuese përbëhet nga gjyqtarët Medi Bici dhe Sokol Binaj, ndërsa relatore e çështjes është caktuar Albana Boksi. Ata do të shqyrtojnë argumentet e mbrojtjes së Veliajt përballë qëndrimit të SPAK, që kërkon ta mbajë në burg deri në përfundimin e hetimeve.

Shkruar nga Versus
Nesër Gjykata e Lartë vendos për fatin e Erion Veliajt: burg apo
Erion Veliaj

Kryetari i pezulluar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pritet të dalë nesër para Gjykatës së Lartë, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për ndryshim të masës së sigurisë. Në këtë seancë, do të vendoset nëse Veliaj do të vijojë të qëndrojë në paraburgim apo do të lirohet, ndoshta edhe në arrest shtëpie.

Trupa gjykuese përbëhet nga gjyqtarët Medi Bici dhe Sokol Binaj, ndërsa relatore e çështjes është caktuar Albana Boksi. Ata do të shqyrtojnë argumentet e mbrojtjes së Veliajt përballë qëndrimit të SPAK, që kërkon ta mbajë në burg deri në përfundimin e hetimeve.

Deri më tani, kërkesa të ngjashme për lirim kanë bërë edhe persona të tjerë të arrestuar nga SPAK. Vetëm Jamarbër Malltezi ka arritur të fitojë lirinë, fillimisht në arrest shtëpie dhe së fundmi me detyrim paraqitjeje, pasi për dosjen "Partizani" hetimet tashmë janë përmbyllur dhe çështja është në gjykim. Ndërsa hetimet për Veliajn dhe Ilir Metën janë ende në vijim.

Në rastin e Veliajt, rezultati i seancës mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në karrierën e tij politike. Në një takim të fundit me drejtuesit lokalë të Bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama la të hapur mundësinë e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Tiranë, duke theksuar se “nuk i dihet si do të shkojë kjo punë”.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt, me urdhër të SPAK, dhe prej atëherë ndodhet në paraburgim. Ai akuzohet për disa vepra penale, përfshirë korrupsion dhe shpërdorim detyre. Sipas SPAK, ai dhe bashkëshortja e tij dyshohet se kanë ndërtuar një skemë përfitimi financiar përmes organizatave joqeveritare. Kallëzimi ndaj tij është depozituar fillimisht nga një identitet i rremë me emrin “Nesti Angoni”.

Vendimi i nesërm i Gjykatës së Lartë pritet me interes të madh, pasi mund të përcaktojë jo vetëm fatin e Veliajt, por edhe drejtimin e ardhshëm të Bashkisë më të madhe në vend.

Poll