
Valdrin Pjetri, ish-drejtues i Hipotekës së Tiranës, ishte i ftuar sot në emisionin "Log." ku diskutoi mbi çështjen e pronësisë në Shqipëri, në kuadër të temës “Shqiptarët dhe pronësia”.
Duke ndarë përvojën e tij si drejtues i një prej institucioneve kyçe për regjistrimin e pronave, Pjetri vuri në dukje se sfidat më të mëdha me dokumentacionin janë shfaqur pas viteve ’90, në periudhën post-komuniste.
Ai theksoi se një nga problemet kryesore ka lindur me ligjin 7501, i cili shpërndau tokën bujqësore, por pa ia kthyer atë pronarëve legjitimë. Sipas Pjetrit, ky ligj krijoi një ndarje të re të tokës, duke lënë pas pasoja të thella në sistemin e pronësisë që vijojnë edhe sot.
"Deri në vitet ’45-’91 dokumenti i pronësisë ka ardhur i plotë dhe i saktë. Prona, edhe pse ishte sekuestruar nga reforma agrare pas vitit ’45, nuk ishte tjetërsuar realisht. Përjashto rastet kur ishte ndërtuar ndonjë shkollë, vepër publike apo spital. Problemet kryesore me pronat fillojnë pas vitit ’91. Ligji AMTP 7501 (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) për mendimin tim nuk e çoi pronën te i zoti. Ai krijoi një konflikt të ri dhe e thelloi më tej problemin e trashëgimisë dhe pronësisë. Edhe në diktaturë dokumentat janë ruajtur me fanatizëm. Problem ishte 7501 që pronën nuk e çoi tek i zoti. Ne në ASHK i dhamë shumë përparësi zyrës së ankesave. Në rast kur toka shitej nga Komuniteti Ekzekutiv, ne parashikuam në 2019 që këto prona t'i kalonim në pronësi të Bashkive. Kur konstatohet falsifikimi i një dokumenti të pasurisë, prokurori e kthen pronën shtet dhe asgjesohet dokumenti i falsifikuar,"-tha ndër të tjera në fjalën e tij, Pjetri. /Versus.al







