Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) do të ndalojë zyrtarisht zbatimin e ndihmës së huaj. Këtë e ka bërë të ditur Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar se ndihma e ardhshme e Shteteve të Bashkuara do të jetë shumë më e kufizuar dhe e drejtuar me kujdes.
Në një deklaratë që shënon kalimin e USAID-it nën kontrollin e plotë të Departamentit të Shtetit, si pjesë e përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të reduktuar madhësinë e qeverisë federale, Rubio tha se SHBA do të largohet nga modeli tradicional i ndihmës së bazuar në bamirësi. Në vend të kësaj, ndihma do të përqendrohet në fuqizimin e vendeve që janë të gatshme dhe të afta të ndihmojnë veten.
“Do të mbështesim ato vende që kanë treguar vullnet dhe kapacitete për të përmirësuar vetë situatën e tyre,” shkroi Rubio. “Burimet tona do të përqendrohen atje ku ato mund të kenë ndikim të shumëfishtë dhe të nxisin sektorin privat të qëndrueshëm, përfshirë kompanitë amerikane dhe investimet ndërkombëtare.”
Rubio shtoi se modeli i ri do të ketë prioritet tregtinë mbi ndihmën dhe investimet mbi asistencën, duke e pozicionuar më mirë Uashingtonin për të rivalizuar ndikimin në rritje të Kinës.
Që nga ardhja në pushtet, administrata Trump ka ngrirë dhe shkurtuar miliarda dollarë ndihmë të huaj, duke theksuar se fondet e taksapaguesve amerikanë duhet të përdoren vetëm për programe që përputhen me politikën “Amerika e Para”. Si rezultat, USAID është dobësuar ndjeshëm, me mijëra punonjës dhe kontraktorë të larguar nga puna, duke rrezikuar shpërndarjen e ndihmës ushqimore dhe mjekësore jetike në mbarë botën.
Sipas një studimi të publikuar në revistën mjekësore The Lancet, çmontimi i USAID-it dhe reduktimi i fondeve mund të sjellë deri në 14 milionë vdekje shtesë deri në vitin 2030. Ekspertët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se ky vendim mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin global, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, kryesisht në Afrikë.
USAID u krijua në vitin 1961 nga Presidenti John F. Kennedy gjatë Luftës së Ftohtë, me synimin për të koordinuar më mirë ndihmën e huaj dhe për ta përdorur atë si një mjet kyç të politikës së jashtme amerikane në përballjen me ndikimin sovjetik. /Versus.al







