Pavarësisht protestave të mbajtura nga Koalicioni Shqiptar pro familjes dhe Jetës, ligji për ‘Barazinë Gjinore’ ka hyrë në fuqi pa dekretin e presidentit Bajram Begaj.
Afati kushtetues që Begaj të firmoste për ta dekretuar, ka përfunduar duke bërë që kreu i shtetit ta kalojë në heshtje ligjin që shkaktoi debate shumë të mëdha në vend dhe që u miratua në Kuvend me 77 vota pro ndërkohë që jashtë sallës kishte protesta.
Pasi projektligji u votua nga deputetët socialistë, aktivistët zhvilluan sërish protesta duke i kërkuar Begajt që të mos e dekretonte ligjin që sipas tyre shkatërron familjen dhe shoqërinë shqiptare duke futur brenda ideologjinë e ekstremit të majtë. Kthimin mbrapsht të ligjit ia kërkoi edhe opozita, përmes një letre të firmosur nga 12 gra deputete që e konsideroi draftin e miratuar si antikushtetues dhe që cenon të drejtat e njeriut, me qëllim kryesor shkatërrimin e familjes.
Termi që shkaktoi aq shumë debate është ai i përkatësisë së shumëfishtë gjinore që në ligj shpjegohet si “Ndërlidhja dhe kombinimi i gjinisë me karakteristika të ndryshme të parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi”. Versus.al


