
E Ngarkuara me Punë e Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, ka marrë pjesë në prezantimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë mbi Investimet e Huaja Direkte (IHD), ku theksoi rëndësinë e krijimit të një klime të qëndrueshme dhe të besueshme për investitorët në Shqipëri.
Gjatë fjalës së saj, VanHorn u shpreh se Shqipëria mbetet e hapur për biznes, por në një mënyrë që njëkohësisht mbron interesat kombëtare dhe përmbush standardet ndërkombëtare.
Ajo vlerësoi kuadrin e shqyrtimit të investimeve të huaja direkte si një “deklaratë strategjike”, që tregon balancën mes hapjes ekonomike dhe mbrojtjes së sektorëve strategjikë të vendit.
Sipas saj, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në këtë proces, duke theksuar se zbatimi i rregullave është kyç për krijimin e besimit te investitorët dhe për garantimin e një fushe të barabartë loje.
VanHorn tha gjithashtu se kompanitë amerikane janë tashmë të pranishme në Shqipëri në sektorë si energjia, ndërtimi dhe teknologjia, ndërsa të tjera po shqyrtojnë mundësinë për të investuar.
Ajo nënvizoi se mekanizmat e shqyrtimit të investimeve synojnë të mbrojnë interesin publik dhe të nxisin investime afatgjata dhe cilësore në vend.

