
Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke sqaruar se Ishulli i Sazan Island nuk është në shitje dhe mbetet pronë shtetërore, ndërsa çdo zhvillim i mundshëm turistik do të realizohet përmes një modeli bashkëpunimi ku shteti merr pjesë në investim.
Ai theksoi se nuk ka asnjë marrëveshje përfundimtare dhe se procesi për ishullin është ende në fazë negociatash dhe studimesh paraprake.
Në lidhje me projektin në Zvërnec, Rama sqaroi se zona e investimit është pronë private e regjistruar dhe zhvillimi po kryhet mbi bazë të transaksioneve ligjore mes pronarëve dhe investitorëve.
Sipas tij, projekti ndodhet ende në fazë shqyrtimi institucional dhe nuk ka hyrë në fazën e ndërtimit, pasi duhet të kalojë procedurat për leje ndërtimi dhe dokumentacion teknik.
Kryeministri bëri me dije gjithashtu se projekti do t’i nënshtrohet një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis, i cili do të analizojë ndikimin mbi biodiversitetin, ekosistemet dhe zonat e mbrojtura, në përputhje me standardet shqiptare dhe të Bashkimi Europian.
Ai theksoi se institucionet shtetërore po veprojnë në përputhje me ligjin dhe se çdo vendimmarrje përfundimtare do të bazohet në rezultatet e studimeve mjedisore dhe procedurave ligjore në fuqi.
Rama i cilësoi si të pavërteta pretendimet për “shitje të territorit shtetëror”, duke shtuar se proceset janë transparente dhe nën kontroll institucional.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.
Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.
Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al

