Aktori i njohur shqiptar Bujar Asqeriu ka shprehur mbështetjen e tij për protestat kundër qeverisë dhe kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke iu drejtuar veçanërisht të rinjve me një mesazh publik.
Në reagimin e tij, Asqeriu e ka cilësuar protestën si paqësore dhe kurajoze, duke vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve dhe qëndresën e tyre.
Ai ka cituar edhe vargje të poetit Migjeni, duke u shprehur se të rinjtë “po këndojnë këngën e lirisë, të qëndresës dhe të guximit”, të cilët sipas tij përfaqësojnë të ardhmen e vendit.
Asqeriu theksoi se shqiptarët duhet të bashkohen për të mbrojtur interesat e vendit dhe të mos lejojnë ndasitë politike, duke shtuar se vendi ndodhet në një moment historik.
Në mesazhin e tij, aktori u shpreh kritik ndaj situatës politike në vend dhe problemeve sociale, duke përmendur emigrimin e të rinjve dhe përçarjet mes qytetarëve. Ai u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos dorëzohen përballë vështirësive.
Mesazhi i plotë
Jam këtu, të dashur miq, të dashur të rinj dhe të reja, në mbështetje absolute të protestës suaj paqësore, të dhimbshme, kurajoze, trimërore.
Migjeni do të thoshte: ‘Rini, rini, thuaja këngës më të bukur që di!’ Dhe ju po thurni dhe po këndoni këngën e lirisë. Ju po këndoni këngën e qëndresës. Ju po këndoni këngën e guximit. Ju jeni e ardhmja e këtij vendi. Ju do ta bëni Shqipërinë më të bukur, më të fortë dhe më të fuqishme në Ballkan dhe në Europë. Për këtë, ju përgëzoj dhe ju nderoj pamasë.
Shqipëria, të dashur miq, ndodhet në momente historike. Thonjtë e politikës gati po e shqyejnë dhe po e mbysin prej kaq vitesh. Retorikat e politikanëve shkojnë dhe vijnë pa zgjidhje, pa asnjë të ardhme. Të rinjtë po na largohen. Spiunët, patronazhistët kanë futur hundët kudo për të përçarë këtë popull, për ta armiqësuar me njëri-tjetrin. Kanë futur hashëmin nëpër familje, në shoqëri, kudo.
Jo, zotëri, ne jemi shqiptarë. Ne jemi shqiptarë dhe duhet të dalim siç keni dalë juve në mbrojtje të atdheut tonë. Këtë atdhe që Ismail Beu në 1912 na e la më të madh.
Por tradhtarët e Shqipërisë, që nuk kanë munguar asnjëherë, e kanë shitur, e kanë blerë dhe vazhdojnë ta shesin këtë tokë. Tokën e Arbërit. Gjakun e Skënderbeut, të trimave të Skënderbeut, të trimave shqiptarë.
Prandaj, qëndroni dhe mos u tutni. Mos u trembni, siç keni qëndruar, sepse fitorja është me ju. Ju përqafoj me shumë dashuri të gjithëve.Versus.al

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.
Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.
Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al

