
Gjatë paraqitjes së sotme në Prokurorinë e Posaçme, Sali Berisha u pyet nga gazetarët lidhur me protestën që zhvillohet prej 2 javësh nga qytetarët shqiptarë. Ai tha se nuk ndjente xhelozi dhe se nuk mund të paraqitej aty për të mos prekur asnjëanësinë që ia kanë dhënë qytetarët me thirrjet e tyre për largimin e klasës së vjetër politike.
“Jo, nuk ndjej xhelozi. Nuk ka asgjë më të mbarë, më të bukur për një komb se përgjegjësia qytetare. Përgjegjësia qytetare është tipari kardinal i njeriut të qytetëruar, i cili e kupton që nuk ka përgjegjësi vetëm për veten e tij, për familjen e tij, por ka për shkallën, ka për lagjen, ka për rrugicën, ka për vendin. Dhe këtë po e dëshmojnë, kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Unë kurrë s'mund të kem, përkundrazi, e ndjek me admirimin më të madh.
Nuk do t’i bashkohem, sepse nuk është partiake. Unë nuk mund të bëj Edi Ramën të them atë që s'është. Unë jam partiak. Kjo është e vërteta dhe unë nuk dua kurrë që ato ngjyra që i kanë dhënë qytetarët t'ia prek. Çdo demokrat aty është pa asnjë simbol partiak. Të respektojmë këtë, të mësohemi të respektojmë këtë dukuri madhështore të paparë në Shqipëri”- tha Berisha pavarësisht se protestuesit shpesh bëjnë thirrje në kor për arrestimin e tij dhe të Ramës.
Sa i takon kritikave të Ramës kundrejt protestuesve, Berisha tha se kreu i qeverisë po shpik armiq imagjinarë dhe se shumë shpejt duhet të japë dorëheqjen.
“Lëre çfarë thotë ai, ai është një i çmendur. Çfarë kanë me fashizmin ata? Kjo është protesta më paqësore, më e bukura, më paqësorja që ka njohur Shqipëria. Ndaj dhe unë po të mos kisha patur këto funksione, ditë natë do isha aty.
Dhe jam i bindur që do fitojë. Dhe i them Edi Ramës, çfarëdo që të bësh, je i pashpresë. Ajo lëvizje të ka prerë biletën. Mos harro, të ka prerë biletën, mos e shtyj më tutje, mos shpik fashistë e të tjerë me radhë.
Turp i madh! Qytetarë që protestojnë që nuk kanë këputur një lule, nuk kanë këputur një lule, edhe i quan protesta fashiste, frymë fashiste e të tjerë me radhë. Edhe ca ditë dhe do ikë”- shtoi kryedemokrati. Versus.al

