POLITIKË /

“Aty ku ha bukë, mos përmbys kupë”, Pjerin Ndreu mesazh deputetes Marjana Koçeku: Heqja dorë nga mandati i PS, do të fisnikëronte

Në një reagim në rrjetet sociale, Ndreu thotë se “malësorët, e as neomalësorët, nuk kanë shitur e as blerë as abuzuar kurrë atë që u është dhënë me mirëbesim dhe respekt”

Shkruar nga Versus

“Aty ku ha bukë, mos përmbys kupë”, Pjerin Ndreu

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar një ditë pasi deputetja socialiste Marjana Koçeku deklaroi se nuk do të ishte më pjesë e PS, por do të dilte si deputete e pavarur.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ndreu thotë se “malësorët, e as neomalësorët, nuk kanë shitur e as blerë as abuzuar kurrë atë që u është dhënë me mirëbesim dhe respekt”.

Ai i ka kërkuar deputetes së qarkut Shkodër të lërë mandatin, pasi nderi i caktimit në krye të listës politike të qarkut më të madh në veri, pa asnjë kontribut politik të mëparshëm, moralisht nuk duhet të keqpërdoret.

“Përtej ekzaltimeve të disave që besojnë se u shemb bota, duhet të mbizotërojë morali i malësorit, aty ku ha bukë, mos përmbys kupë”, shkruan kryebashkiaku socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu.

Mesazhi i plotë

Malësorët, e as neomalësorët, nuk kanë shitur e as blerë as abuzuar kurrë atë që u është dhënë me mirëbesim dhe respekt.

Kushdo, në kushte e rrethana të tjera, mund të ndryshojë mendim apo ide, mund të mos e gjejë më veten ose të mos përputhet me një forcë politike. Kjo është krejt normale.

Por nderi i caktimit në krye të listës politike të qarkut më të madh në veri, pa asnjë kontribut politik të mëparshëm, moralisht nuk duhet të keqpërdoret.

Heqja dorë nga mandati i marrë në sajë të votës së mijëra socialistëve shkodranë do të ishte një akt që do ta fisnikëronte miken time, Marjana Koçeku.

Kjo nuk është dramë për PS-në, por është shkelje besimi, për sa kohë që keqpërdoret mandati i dhënë politikisht nga PS.

Përtej ekzaltimeve të disave që besojnë se u shemb bota, duhet të mbizotërojë morali i malësorit, aty ku ha bukë, mos përmbys kupë.

 

Poll