
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka nënshkruar vendimin për zgjatjen me një vit të emergjencës kombëtare lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit zyrtar, i cili do t’i transmetohet Kongresit dhe do të publikohet në Regjistrin Federal, Uashingtoni vlerëson se situata në rajon vijon të përbëjë një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane, për shkak të korrupsionit të përhapur dhe përpjekjeve për minimin e marrëveshjeve të pasluftës.
Në dekret thuhet se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për interesat e Shteteve të Bashkuara”, duke e bërë të domosdoshme vijimin e gjendjes së emergjencës përtej 26 qershorit 2026.
Emergjenca kombëtare për Ballkanin Perëndimor është shpallur fillimisht më 26 qershor 2001, përmes Urdhrit Ekzekutiv 13219, i cili synonte sanksionimin e individëve dhe grupeve të përfshira në dhunë ekstremiste, si dhe atyre që pengonin zbatimin e marrëveshjeve të paqes në rajon, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
Më pas, kuadri është zgjeruar me urdhra të tjerë ekzekutivë, duke përfshirë edhe shkeljet e Marrëveshjes së Ohrit dhe veprimtarinë e aktorëve që cenojnë stabilitetin rajonal.
Masa më e fundit, e mbështetur edhe mbi Urdhrin Ekzekutiv 14140 të nënshkruar më 8 janar 2025, synon gjithashtu goditjen e individëve dhe rrjeteve që tentojnë të shmangin ose të anashkalojnë sanksionet ekonomike të vendosura nga SHBA ndaj personave të caktuar.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, ky vendim konfirmon angazhimin e vazhdueshëm të Uashingtonit për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe luftën kundër korrupsionit dhe ndikimeve destabilizuese në rajon.Versus.al

