
Protesta kundër qeverisë ka vijuar edhe këtë të mërkurë me një marshim të madh në rrugët e Tiranës, në ditën e 25-të të mobilizimit qytetar.
Pas tubimit para Kryeministrisë, mijëra protestues nisën marshimin në bulevardet dhe rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përcjellë mesazhe kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, qytetarët kanë brohoritur vazhdimisht “Rama jep dorëheqjen”, “Nuk ka bisedime”, “Poshtë patronazhistët”, ndërsa kanë kërkuar ndryshim politik dhe largimin e qeverisë.
Gjatë marshimit kanë jehuar edhe thirrjet “Revolucion” dhe “Shqipëri e Re”, ndërsa protestuesit kanë bërë apel për bashkim dhe pjesëmarrje më të madhe në ditët në vijim.
Protesta, e cila ka hyrë në ditën e saj të 25-të, konsiderohet nga organizatorët si një lëvizje qytetare kundër korrupsionit, keqqeverisjes dhe mungesës së llogaridhënies, ndërsa pjesëmarrësit kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin deri në plotësimin e kërkesave të tyre.Versus.al

