
Prokuroria e Romës ka nisur hetimet për vdekjen e aktorit shqiptar Gjergji Lala, i cili ndërroi jetë në Poliklinikën “Umberto I” në Romë. Procedimi është hapur pas kallëzimit të familjarëve të tij ndaj spitalit ku ai u trajtua.
Sipas Corriere della Sera, familjarëve të 78-vjeçarit, aktori nuk ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore gjatë qëndrimit në spital, duke ngritur dyshime për neglizhencë mjekësore. Për këtë arsye, autoritetet italiane kanë regjistruar procedimin për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”.
“Babai ynë vdiq para syve tanë, pa bërë askush asgjë për ta ndihmuar”, citohet të ketë deklaruar familja në kallëzim, sipas mediave italiane.
Aktualisht nuk ka persona nën hetim, ndërsa Prokuroria e Romës pritet të analizojë rezultatet e autopsisë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes dhe nëse ka përgjegjësi penale nga personeli mjekësor.
Sipas raportimeve, aktori kishte mbërritur në gjendje të rënduar shëndetësore në spital, pas problemeve të mëparshme shëndetësore, përfshirë komplikacione në veshka dhe një ndërhyrje kirurgjikale për tumor në fshikëzën urinare.
Gjatë qëndrimit në spital, gjendja e tij është përkeqësuar më tej, përfshirë edhe një frakturë në femur dhe infeksione bakteriale, të cilat dyshohet se kanë rënduar ndjeshëm gjendjen e tij shëndetësore.
Autoritetet italiane pritet të vijojnë hetimet pas rezultateve të ekspertizave mjeko-ligjore, të cilat do të përcaktojnë nëse vdekja lidhet me shkaqe natyrale apo me përgjegjësi të mundshme mjekësore.
Publiku shqiptar e njeh Gjergji Lalën për kontributin e tij në skenë dhe karrierën e vlerësuar në artin e interpretimit. Ai luajti shumë role në teatër dhe kinematografi, por më i përmenduri është roli i Mihal Gramenos në filmin “Liri a Vdekje”.
Në kinema ka rreth 10 filma ku ka marrë pjesë si aktor kryesor dhe në role dytësore. Prej vitesh jetonte në Itali ku është aktivizuar në filma dhe telefilma të ndryshëm.Versus.al
Gjergji Lala ka lindur më 6 dhjetor të vitit 1947 në Lushnje.

