
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale ka kërkuar zyrtarisht praninë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në dëgjesën që pritet të zhvillohet më 30 qershor në Kuvend.
Sipas kryetarit të komisionit, ftesa i është dërguar Bashkisë së Tiranës sipas të njëjtit standard të ndjekur edhe për bashkitë e tjera të vendit, duke theksuar se kërkohet pjesëmarrja e kryetarëve të zgjedhur dhe jo e përfaqësuesve të deleguar.
“Ne kemi caktuar një standard. Nuk kemi dëgjuar nënkryetarët, edhe kur kanë qenë të deleguar. Ftesa i shkon institucionit dhe institucioni përcakton përfaqësimin e duhur”, u shpreh ai.
Megjithatë, pjesëmarrja e Veliajt mbetet ende e pasigurt, pasi kërkon edhe vlerësim nga institucionet kompetente për mënyrën e lëvizjes së tij nga paraburgimi drejt Kuvendit.
Komisioni ka zhvilluar më herët dëgjesa me kryetarë të shumicës së bashkive në vend, të cilët kanë paraqitur propozime dhe vërejtje mbi reformën e re territoriale.
Nëse miratohen procedurat përkatëse, Veliaj mund të paraqitet në Kuvend më 30 qershor, ndërsa në të kundërt mbetet e hapur mundësia që Bashkia e Tiranës të përfaqësohet nga një tjetër zyrtar.Versus.al

