
Për herë të parë në Shqipëri po certifikohen kontabilistët ligjorë (investigativë), të cilët do të mundësojnë një shërbim cilësor dhe më profesional në lidhje me hetimin dhe zbulimin e krimeve financiare në vend. Cilat janë skemat më të zakonshme të mashtrimit në kompani dhe me paratë publike. Pse është e rëndësishme mbikëqyrja financiare
“Aktualisht në shumë raste, në kompanitë shqiptare, mashtrimet zbulohen në mënyrë rastësore, jo sistematike dhe zgjidhen kryesisht në rrugë joformale dhe joinstitucionale. Por në praktikën e bizneseve shqiptare ka edhe një sërë rastesh të mashtrimeve të dyshuara midis ortakëve apo aksionerëve.
Dhe kur çështja shkon në gjykatë, atëherë ortakët ‘kujtohen’ për ekspertin për të hetuar, për të identifikuar dhe për të vlerësuar mashtrimin sipas tyre. Por gjithashtu ka kompani që vetëmashtrojnë, sidomos në lidhje me deklarimet tatimore”, pohon prof. Sotiraq Dhamo, Kryetar i Këshillit të Drejtimit të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar.
Profesor Dhamo pohon se tashmë, profesioni i kontabilitetit në Shqipëri po zhvillohet edhe më tej, përmes krijimit të infrastrukturës për certifikimin e kontabilistëve ligjorë, apo të thënë ndryshe, atyre investigativë.
Një projekt i mbështetur nga Banka Botërore për kontabilistin ligjor (Forensic Accounting) dhe përfitues IKM ka ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të IKM në lidhje me profesionin e Kontabilistit Ligjor (KL).
Nga trajnimi i zhvilluar u krijua një grup i Trajnerëve, të cilët do të jenë të përgatitur për të zhvilluar në të ardhmen trajnimet e duhura për të marrë certifikatën profesionale të Kontabilistit Ligjor.
Po ashtu u përgatit dhe grupi i parë i Kontabilistëve Ligjorë, të cilët do të jenë dhe pionierët e këtij profesioni në vend.
“Programi mëson pjesëmarrësit si të kryejnë investigime ligjore të strukturuara, duke përfshirë teknikat e intervistimit, mbledhjen e provave, parimet e zinxhirit të kujdesit, standardet e dokumentimit dhe metodat për rindërtimin e transaksioneve financiare.
Ky set aftësish investigative është një nga dalluesit kryesorë të Kontabilitetit Ligjor dhe mundëson që pjesëmarrësit të mbështesin prokurorët, audituesit, bankat, njësitë e auditimit të brendshëm dhe organet mbikëqyrëse me gjetje cilësore dhe të zbatueshme”, thotë Sandra Damijan, Eksperte e Kontabilitetit Ligjor, Trajnere e Programit për Kontabilistët Ligjorë.
“Duke pasur kontabilistët e miratuar si këshilltarë apo punonjës, apo edhe KL, si kualifikimi specializuar për hetimin dhe zbulimin e mashtrimeve, bizneset do të jenë më të ndërgjegjshëm për rrezikun që mund të kenë nga mashtrimet, që ju bëhen dhe që bëjnë.
Supozohet se duke ditur që tashmë në tregun e profesioneve ka edhe KL të specializuar për hetimin dhe zbulimin e mashtrimeve, kompanitë shqiptare do të jenë koshiente për riskun që do të ndërmarrin në raste të mashtrimeve tatimore që mund të kryejnë, duke sjellë kështu uljen e rasteve apo të nivelit të këtyre mashtrimeve.
Ata gjithashtu, duke ju drejtuar dhe duke u mbështetur në shërbimet e KL, do të kenë mundësi që të ngrenë sistemet e tyre të zbulimit të hershëm të mashtrimeve dhe parandalimin e tyre”, thotë prof. Dhamo.
Ai shton se krijimi i këtij drejtimi të ri të kualifikimit të KL sjell një zhvillim të ri për profesionin e kontabilistit. “Ai siguron një shërbim cilësor dhe më profesional në lidhje me hetimin dhe zbulimin e mashtrimeve dhe krimeve financiare në vendin tonë.
KL tashmë do të kenë përgatitjen e duhur dhe të specializuar profesionale për t’u ofruar këtë shërbim organeve të drejtësisë, prokurorisë dhe organeve të tjera ligjvënëse dhe ekzekutive, por edhe për bizneset private, se sa ofrohej aktualisht nga kontabilistët jo të specializuar. Certifikata e KL do të rrisë vlerat për profesionistët e kontabilitetit.
Ajo do të identifikojë ata nga profesionistët e tjerë dhe për kërkuesit e shërbimit të KL do të jetë e lehtë të identifikojnë kontabilistët që ofrojnë këtë shërbim si profesionistë të specializuar.
Kjo do të rrisë kështu edhe shërbimet që do të ofrojnë kontabilistët duke mundësuar edhe shërbime të mirëpaguara, plus shërbimeve të zakonshme që ofrojnë kontabilistët e miratuar. Ky profesion i KL e rrit edhe më shumë rolin dhe kontributin e profesionit të kontabilistit në të mirë të publikut në luftën kundër mashtrimit, krimit ekonomik e korrupsionit”.
Kledi Kodra, partner i shoqërisë audituese “Grant Thorton”, dhe një nga trajnerët e Programit për Kontabilistin Ligjor, thotë se në realitetin e sotëm financiar, Kontabiliteti Ligjor (apo kontabiliteti i forensikës financiare) është një disiplinë e domosdoshme për bizneset sepse kombinon aftësitë investiguese, financiare dhe analitike për të zbuluar parregullsitë financiare dhe për të mbrojtur shoqëritë nga krimet dhe aktivitetet financiare gjithnjë e më të sofistikuara.
“Me rritjen e transaksioneve digjitale dhe volumin e të dhënave financiare, shtohen edhe rreziqet e lidhura me to si mashtrimi, pastrimi i parave dhe evazioni fiskal.
Në këtë kontekst, Kontabilistët Ligjorë ndihmojnë në mbrojtjen e bizneseve duke zbuluar dhe duke parandaluar këto krime financiare, si dhe duke minimizuar dëmet dhe humbjet financiare që ato mund të shkaktojnë”.
Si mashtron biznesi dhe si abuzohet me paratë publike
Kledi Kodra, nga “Grant Thorton”, thotë se në eksperiencën si auditues dhe konsulentë financiarë, kryesisht kanë dëshmuar si ekspertë të pavarur në çështje arbitrazhi, ku kanë vlerësuar fitimin e munguar si pasojë e moszbatimit të marrëveshjeve ose kontratave, vlerën e biznesit ose kapitalit të vet përmes metodave të ndryshme të vlerësimit.
Gjatë këtij procesi, një fokus i rëndësishëm ka qenë verifikimi dhe analiza e të dhënave financiare historike të raportuara nga shoqëritë, të cilat shërbejnë si bazë për parashikimet dhe vlerësimet e ardhshme.
Si ekspertë të pavarur, kanë vlerësuar dhe raportuar nëse vlera e aktiveve dhe fitimet e shoqërisë janë rritur artificialisht, nëse detyrimet janë nënvlerësuar, nëse aktivet dhe detyrimet janë klasifikuar gabim, nëse shpenzimet janë kapitalizuar në mënyrë të pasaktë, duke siguruar një pasqyrë të saktë dhe të besueshme të situatës financiare të shoqërisë.
Por, ai shton se më rrallë, “ka pasur raste kur kemi asistuar auditin e brendshëm ose jemi pajtuar nga shoqëri të ndryshme për të investiguar raste të mashtrimit financiar në nivel menaxherial të mesëm ose të lartë”.
“Incidenca e këtyre rasteve po rritet në Shqipëri në kushte kur shoqëritë zgjerohen dhe strukturat e tyre aksionere dhe menaxheriale bëhen më komplekse”.
Sandra Damijan, Trajnere e Programit, pohon se skemat e zakonshme të mashtrimit të bizneseve përfshijnë faturimin fiktiv, vlera të fryra artificialisht gjatë prokurimeve, manipulim të listë-pagesave përmes punonjësve fantazmë, përdorim të paautorizuar të aktiveve të shoqërisë, vjedhjen e parave të gatshme që ende nuk janë regjistruar në sistemin kontabël, dhe devijim të inventarit.
“Këto skema lulëzojnë në mjedise me kontrolle të brendshme të dobëta, informalitet të lartë, mbikëqyrje digjitale të kufizuar dhe ndarje të dobët të detyrave”.
“Në opinionin tim, bazuar në eksperiencën personale dhe të kontabilistëve të IKM, kompanitë shqiptare gjithnjë e më shumë po bëhen të vetëdijshme në lidhje me mashtrimet që mund të kryhen në kompanitë e tyre nga punonjësit, furnitorët, klientët, etj.
Sidomos shkëputja gjithnjë e më shumë e pronarit/ve nga drejtimi i shoqërive dhe delegimi i drejtimit te menaxherët e specializuar, e bëjnë gjithnjë e më evidente për ta rrezikun e mashtrimit në aktivitetet e tyre”, shpjegon Profesor Dhamo.
Një element shumë i rëndësishëm është dhe abuzimi me paratë publike.
Trajneria Damijan thotë se modelet e zakonshme përfshijnë manipulimin e tenderave, fitues të paracaktuar, bashkëpunimin e fshehtë midis furnitorëve për manipulim të ofertave, rritjen artificiale të vlerave të kontratave dhe marrëveshjeve, si dhe dhënien e ryshfeteve të fshehura përmes tarifave të konsulencës ose nënkontraktimeve.
Projektet e infrastrukturave të rëndësishme, menaxhimi i mbetjeve, IT-ja dhe Partneritetet Publike-Private janë veçanërisht të ekspozuara.
“Të dhënat nga Shqipëria dhe sistemet e ngjashme të drejtësisë tregojnë se shumë raste korrupsioni dhe krimi ekonomik dështojnë jo sepse shkeljet nuk kanë ndodhur, por sepse provat financiare të paraqitura në gjykatë janë të pasakta, të strukturuara dobët ose nuk përmbushin mjaftueshëm standardet ligjore.
Kontabiliteti Ligjor adreson këtë dobësi strukturore duke i pajisur profesionistët me aftësinë për të analizuar regjistrime komplekse, për të analizuar transaksionet financiare, për të identifikuar modelet e mashtrimit, për të kuptuar faktorët e sjelljes që ndikojnë mashtrimin dhe për të përgatitur prova të qarta dhe cilësore që mund të përdoren në gjykatë”, shton ajo.
Z. Kodra i “Grant Thorton”, shton se nisur nga roli thelbësor dhe në rritje i kontabilitetit ligjor, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat në zbulimin e mashtrimeve dhe aktiviteteve mashtruese, vlerësohet se organizatat e çdo madhësie dhe tipologjie mund të kenë nevojë për ndihmën e një profesionisti me njohuri në kontabilitet ligjor, për të identifikuar dhe për të mbrojtur vazhdimisht nga mashtrimet financiare.
“Megjithatë, rritja e ardhshme e kërkesës për shërbime të kontabilitetit ligjor në vend padyshim do të shtojë edhe nevojën për staf me njohuri, trajnim dhe certifikime të specializuara në këtë fushë”.
Abuzimi me paratë publike
Të dhënat nga Shqipëria dhe sistemet e ngjashme të drejtësisë tregojnë se shumë raste korrupsioni dhe krimi ekonomik dështojnë jo sepse shkeljet nuk kanë ndodhur, por sepse provat financiare të paraqitura në gjykatë janë të pasakta, të strukturuara dobët, ose nuk përmbushin mjaftueshëm standardet ligjore. Monitor.al

