Shqipëria ka përgatitur draft-marrëveshjen dhe ka ngritur grupin negociator për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës me Greqinë, një hap i shumëpritur nga mijëra qytetarë shqiptarë që kanë kontribuar në sistemin grek të sigurimeve shoqërore.
“Jemi në pritje të vullnetit veçanërisht politik nga pala greke për të iniciuar zyrtarisht marrëveshjen”, deklaroi Olta Manjani, zëvendësministre e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).
Sa kohë do të zgjasë procesi?
Sipas zëvendësministres, realizimi i plotë i marrëveshjes kërkon një periudhë prej dy deri në tre vitesh në skenarin më optimist, ndërsa në rast të zvarritjeve procedurale, procesi mund të zgjasë mbi pesë vite.
“Duhet të kemi parasysh që këto marrëveshje shoqërohen me koston përkatëse financiare, por ato hapin një mundësi të rëndësishme për qytetarët e të dy vendeve që të sigurojnë të drejtat e tyre pensionale. Përveç aspektit financiar, është thelbësor koordinimi i ngushtë mes dy palëve dhe përkushtimi politik, pasi çdo vonesë mund të zgjasë procesin mbi pesë vite”, shtoi Manjani.
Pse është e rëndësishme kjo marrëveshje?
Njohja e pensioneve u jep mundësi qytetarëve që kanë punuar në të dy vendet të përfitojnë pension proporcional, duke mos humbur kontributet e derdhura në secilin shtet. Ky është një lehtësim i madh për emigrantët shqiptarë në Greqi, të cilët prej vitesh kërkojnë zgjidhje për këtë çështje.
Me cilat shtete ka marrëveshje Shqipëria?
Aktualisht, Shqipëria ka marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës me 15 shtete, përfshirë Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Kanadanë, Bullgarinë, Kosovën, Zvicrën, Kroacinë, Italinë dhe së fundmi Serbinë.
“Me konkludimin e të gjithë marrëveshjeve që ne kemi në proces, ky numër do të shkojë në 21. Përpos vendeve të BE, po përpiqemi të kemi marrëveshje edhe me ato shtete me të cilat kemi shkëmbime të shpeshta tregtare”, theksoi Manjani.
Cilat janë vendet e tjera në fokus?
Përveç Greqisë, Shqipëria po zhvillon përpjekje për negociata edhe me Holandën, Poloninë, Finlandën, Moldavinë, Slloveninë, Australinë, Norvegjinë dhe Suedinë. /Versus.al

Jo vetëm ushqimet, po shtrenjtohen dhe produktet e tjera


Shqipëria, kampione e Europës për energjinë e rinovueshme




