Një nga icebergët më të mëdhenj të regjistruar ndonjëherë, i njohur si A23a, është në momentet e fundit të ekzistencës së tij, teksa po shkrihet me shpejtësi në ujërat më të ngrohta të Oqeanit Atlantik.
Formuar në vitin 1986, ky kolos i akullt, me një masë fillestare prej rreth 1000 miliardë tonësh dhe një sipërfaqe prej 4000 km² – afro 50% më i madh se Luksemburgu – qëndroi për më shumë se 30 vite i ngulitur në fundin e detit në Detin Weddell, në jug të Antarktidës.
Një rrugëtim 39-vjeçar drejt shpërbërjes
Pas një qëndrimi të gjatë të palëvizur, në vitin 2020, A23a filloi të lëvizte sërish, i shtyrë nga rryma e fuqishme rrethore e Antarktidës. Në mars 2025, ai u përplas pranë ishullit britanik Gjeorgjia e Jugut, duke ngritur shqetësime për rrezikimin e faunës lokale, veçanërisht të mançotëve dhe fokave.
Tashmë, ndërsa ai ka hyrë në ujëra më të ngrohta dhe me dallgë të fuqishme, icebergu është në shpërbërje të plotë. Sipërfaqja e tij është tkurrur në vetëm 1770 km², ndërsa gjerësia e tij shkon deri në 60 km, sipas analizës së imazheve satelitore nga shërbimi Copernicus i BE-së.
“Do të thosha se është drejt fundit të tij… thjesht po shpërbëhet nga rrënjët,” tha për agjencinë AFP Andrew Meijers, oqeanolog në British Antarctic Survey.
“Uji është shumë i ngrohtë që ai të mbijetojë. Po shkrihet në mënyrë të vazhdueshme dhe pritet të bëhet i panjohshëm brenda disa javësh.”
Shkencëtarët janë të habitur që A23a ka mbijetuar kaq gjatë, pasi zakonisht icebergët shkrihen shumë më herët, sapo largohen nga mbrojtja klimatike e akullnajave të Antarktidës.
Klima dhe ndryshimi i ritmit natyror
Formimi i icebergëve është një proces natyror, por shkencëtarët paralajmërojnë se ritmi i krijimit dhe shkatërrimit të tyre është rritur, dhe kjo shkaktohet në masë të madhe nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.
Ndërsa A23a po zhduket, ai bëhet simbol i një epoke ku gjigandët e akullit nuk janë më të paprekshëm dhe ku klima globale po ndryshon më shpejt sesa parashikimet më pesimiste të së kaluarës. / Versus /







